Kur u kthye atë mbrëmje gushti, në vitin 2012, një vrasës me pagesë e priste në shtëpi. Plumbi i tejshpoi kafkën dhe ajo mbijetoi, por gjëja më e tmerrshme ishte të mësonte se kush e kishte porositur vrasësin.

“Ne kishim një martesë të mrekullueshme”, thotë Nensi Shore nga Carrolton Texas, tashmë 57 vjeçe. “U martuam në vitin 1983 dhe ai është kujdesur gjithnjë për fëmijët. Shkonim bashkë kur fëmijët kishin ndeshje futbolli, këndonim te kori i kishës dhe ndiqnim rregullisht kurse studimi për Biblën”.

Por kur u rritën fëmijët, burri i saj, Frenku, i cili punonte si ekonomist, nisi të udhëtonte më shpesh larg shtëpisë. Nensi, e cila vazhdonte të ishte shtëpiake, kujdesej vetëm për familjen dhe ndihej gjithnjë e më e izoluar.

Atë natë ajo po kthehej nga kisha. Sa hyri në shtëpi iu afrua papritur një burrë me kapelë të zezë. Ai i drejtoi një pistoletë në kokë dhe i kërkoi paratë. Nga hutimi, Nensi i kishte drejtuar fillimisht qeskën e ushqimeve. Ai kishte këmbëngulur për kuletën. Ajo ia kishte drejtuar me nxitim, por sapo e kishte marrë, ai e kishte qëlluar në kokë, duke e lënë për të vdekur.

Pasi u përmend, Nensi nuk e kishte kuptuar ende që e kishte humbur njërin sy, ndonëse kishte dhimbje të tmerrshme. Plumbi i kishte tejshpuar kafkën dhe i kishte hyrë në mushkëri. Celularin e kishte pasur në kuletën e vjedhur, ndaj iu desh të zvarritej brenda. Kur pa veten në pasqyrë, syri i kishte rënë dhe i varej mbi bluzë.

Ajo arriti të shkojë te telefoni dhe njoftoi urgjencën. Para ambulancës mbërriti policia. Njëri prej agjentëve njoftoi fëmijët dhe burrin, i cili, sipas përshkrimit të fëmijëve, kishte nisur të qante dhe kishte humbur totalisht kontrollin. Kur ishte kthyer nga udhëtimi, pasi kishte parë se si ishte katandisur gruaja pas sulmit, kishte rënë në tokë nga dëshpërimi.

Policia vazhdoi hetimin dhe zbuloi se Frenku nuk kishte qenë në ndonjë udhëtim pune, por me një grua tjetër, me të cilën kishte pasur lidhje prej tre vitesh. Teksa Nensi përpiqej të shërohej në sallën e reanimacionit, ajo mori rrëfimin tronditës nga i shoqi, që pranoi se kishte një të dashur.

“Vetëm qaja me kokën ulur. Mamaja më thoshte të pushoja, sepse syri duhej shëruar”, thotë Nensi. Dhe pikërisht në këtë kohë ajo merr njoftimin nga policia që burri i saj kishte paguar një bandë kriminelësh për ta vrarë. Kriminelët kishin vazhduar t’i kërkon para Frenkut edhe pas krimit, për ta zhvatur më tej.

Veç kësaj, nga puna si ekonomist ai kishte nisur të vidhte parà për t’i shpenzuar me gruan e re si dhe për të paguar kriminelët. Ai u dënua me burg të përjetshëm, dhe vetëm pas 30 vitesh do t’i jepej e drejta të dilte me pagesë garancie, kur të ishte rreth 85 vjeç.

Vendimi ishte tronditës për Nensin, pasi ajo ishte përgatitur që të dënohej më pak dhe ta falte, të rindërtonin sërish lidhjen e tyre.

“Duhet ta pranoj, vazhdoja ta doja,” thotë Nensi, e cila vazhdon ta ketë ende plumbin në mushkëri, pasi mjekët nuk e hoqën dot dhe u mahnitën që ajo mbijetoi. “E doja, por jo si në një lidhje romantike, por si babain e dashur të fëmijëve të mi. Ai do të ketë gjithnjë dashuri në atë drejtim”, thotë Nensi, të cilën e lëndon fakti që fëmijët mund ta shohin babain e tyre me urrejtje.

Në gjithë këto vite pas dënimit ajo i ka qëndruar larg, por vazhdon të mendojë ta takojë në burg. Mbi të gjitha, për të mësuar se çfarë ndodhi që martesa e tyre u prish ashtu papritur.

FOTO GALERI
3/8
Atë natë ajo po kthehej nga kisha dhe në shtëpi iu afrua papritur një burrë me kapelë të zezë. Ai i drejtoi një pistoletë në kokë dhe i kërkoi paratë. Ajo ia kishte drejtuar me nxitim, por ai qëlloi në kokë, duke e lënë për të vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA