Zbulohet një specie e re maceje në Bolivi, e para në më shumë se 100 vjet

18/09/2026 18:45

Një specie e re e maces së egër është identifikuar në Bolivi, në një zbulim të rrallë që nuk kishte ndodhur prej më shumë se një shekulli.

Kafsha, e pagëzuar nga komunitetet lokale me emrin Tilcayo, jeton në pyjet e lagështa të Yungas, në shpatet lindore të Andeve. Shkencëtarët e kanë klasifikuar me emrin shkencor Leopardus tilcayo.

Bëhet fjalë për një mace të vogël, rreth 46 centimetra të gjatë dhe me peshë afërsisht 1.4 kilogramë, pra më e vogël se një mace shtëpie mesatare. Ka qime ngjyrë kafe të çelët dhe njolla të errëta në trup.

Zbulimi erdhi pas analizave gjenetike të kryera nga një grup studiuesish. Rezultatet treguan se Tilcayo është gjenetikisht e dallueshme nga macet e tjera të të njëjtit grup dhe se linja e saj evolucionare është ndarë nga ato rreth 1.4 milionë vjet më parë.

Historia e kësaj kafshe është po aq e pazakontë sa edhe zbulimi shkencor.

Në vitin 2016, një banor vendas gjeti një këlysh në një rrugë pranë pyllit. Në fillim ai mendoi se kishte gjetur një mace të zakonshme dhe e mori në shtëpi. Por, pasi kafsha u rrit, sjellja e saj e egër bëri që ajo të dërgohej në një qendër rehabilitimi për kafshët e egra.

Studiuesit më pas nisën të hetonin origjinën e saj dhe analizat gjenetike çuan në përfundimin se kishin përballë një specie që nuk ishte përshkruar më parë nga shkenca.

Sipas studiuesve, të dhënat për këtë mace janë ende shumë të kufizuara. Deri tani janë dokumentuar vetëm pak individë të gjallë dhe disa pamje nga kamerat e vendosura në natyrë. Vëzhgimet e para sugjerojnë se Tilcayo është kryesisht aktive gjatë natës dhe ushqehet me brejtës të vegjël.

Zbulimi ka rëndësi edhe për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi pyjet e Yungas janë nën presion nga shpyllëzimi, bujqësia dhe aktivitetet minerare. Studiuesit kanë ndarë të dhënat me ekspertët e ruajtjes së natyrës për të vlerësuar edhe statusin e kësaj specieje.

Specia e fundit e re e maces së egër që ishte përshkruar nga shkenca ishte macja pampas e Uruguait, në vitin 1923.

Top Channel