Dy anët e Cancunit, plazhe ekzotike dhe trupa të pajetë – FOTO

28/04/2018 17:58

Është një nga qytetet më të vizituara turistike në Meksikë dhe gjithë Karaibet, por së fundmi, Cancuni po shndërrohet edhe në fushëbetejën e karteleve të drogës. Rasti më i fundit janë 5 trupat e pajetë të gjetur në një makinë, të cilët nuk janë identifikuar ende nga autoritetet.

Dikur një qytet i qetë dhe me plazhe përrallorë, sot në Cancun po ndodhin ngjarje të tmerrshme, vrasje, rrëmbime dhe përleshje mes grupeve rivale që merren me trafikimin e drogës. Dhuna është shtuar edhe për shkak të numrit në rritje të kolumbianëve që janë përfshirë në dhënien e huave të paligjshme, duke u përplasur me vendasit.

Javën e kaluar, turistët u tmerruan kur të shtëna armësh u dëgjuan në një prej hoteleve më të mira të zonës, ndërsa lajmi makabër i shkrirjes në acid të tre studentëve solli edhe një protestë masive të 12 000 njerëzve që i kërkonin qeverisë t’i jepte fund kriminelëve. Sipas raportimeve në mediat amerikane, sutdentët ishin ngatërruar për pjestarë të një bande rivale dhe ishin ekzekutuar pa mëshirë nga një reper lokal, Christian Omar Palma Gutierrez, për llogari të kartelit.

Statistikat shtetërore në Meksikë tregojnë se rreth 15 516 persona të grupmoshës 13-19 vjeç janë listuar si të zhdukur në Cancun, 43% e listës së të zhdukurve në të gjithë vendin. Ndërsa një organizatë joqeveritare raportoi se 30 deri në 50 000 adoleshentë janë detyruar t’i bashkohen karteleve.

Sipas BBC, vitin e kaluar në Meksikë u shënua numri më i madh i vrasjeve në histori, me 25 000 të tilla të raportuara në të gjithë vendin.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA