Princi Harry përshkallëzon betejën ligjore me Daily Mail, do të apelojë vendimin për të rrëzuar padinë e tij
Një histori e pazakontë ka përfunduar në duart e drejtësisë ushtarake në Ukrainë.
Një oficere e Forcave Ajrore dyshohet se ka mashtruar autoritetet ushtarake, duke pretenduar se ishte e shtruar në spital, ndërkohë që në të vërtetë merrte pjesë në xhirimet e spektaklit të njohur televiziv të gatimit, MasterChef.
Bëhet fjalë për Viktoria Kuznetsovën, togere e lartë në Forcat Ajrore të Ukrainës, ndaj së cilës Byroja Shtetërore e Hetimit ka nisur zyrtarisht një hetim penal. Sipas autoriteteve, ajo dyshohet se ka përfituar rreth 250 mijë hryvnia në paga dhe pagesa shtesë, edhe pse për një periudhë disa mujore nuk ka qenë e pranishme në detyrë apo në spitalin ushtarak ku figuron se po trajtohej.
Sipas hetimeve, historia nis në prill të vitit 2025, kur Kuznetsova, pjesë e Skuadronit të 15-të të Aviacionit të Transportit, rezultonte e shtruar në një spital ushtarak në qytetin e Dnipros. Në dokumentet zyrtare, ajo figuron si paciente deri në gusht të po atij viti.


Megjithatë, hetuesit pretendojnë se gjatë kësaj periudhe oficerja nuk qëndronte në spital, por lëvizte në qytete të ndryshme të Ukrainës, përfshirë Kievin, Kharkivin dhe rajonin e Odesës. Madje, ajo dyshohet se ka marrë pjesë në xhirimet e sezonit të 16-të të MasterChef Ukraine, të zhvilluara në Kiev.


Sipas dosjes hetimore, Kuznetsova ka qenë e angazhuar në aktivitetet televizive nga 22 prilli deri më 11 gusht 2025, ndërsa në të njëjtën kohë në dokumentacionin ushtarak rezultonte e shtruar në spital.
Gjatë gjithë kësaj kohe, njësia e saj ushtarake ka vijuar t’i paguajë rrogën dhe përfitimet financiare, duke shkaktuar, sipas përllogaritjeve të hetuesve, një dëm prej afro 250 mijë hryvniash për shtetin ukrainas.
Oficerja u identifikua përmes emisionit televiziv
Rasti u bë publik fillimisht në mars të vitit 2026, kur u zbulua se Kuznetsova, e cila në spektakël ishte prezantuar si ish-ushtarake, në fakt vazhdonte të ishte pjesë e Forcave Ajrore të Ukrainës.
Komanda e Skuadronit të 15-të të Aviacionit të Transportit bëri të ditur se dyshimet lindën pas publikimit të videove të para promovuese të MasterChef. Pas identifikimit të saj, u urdhërua një hetim i brendshëm, i cili zbuloi se oficerja kishte marrë pjesë në xhirime pa njoftuar dhe pa marrë miratimin e eprorëve, sipas procedurave të përcaktuara.

Gjetjet e këtij hetimi iu përcollën Byrosë Shtetërore të Hetimit, e cila tashmë po ndjek çështjen në rrugë penale. Ndërkohë, spektakli nisi transmetimin në gusht të vitit 2025 në televizionin ukrainas STB.
Përveç rolit të oficeres, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së personelit të spitalit ushtarak në këtë çështje.
Autoritetet po verifikojnë nëse punonjësit e institucionit shëndetësor ishin në dijeni se Kuznetsova mungonte për periudha të gjata dhe nëse kanë ndihmuar në lëshimin e dokumenteve që konfirmonin shtrimin e saj në spital.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjë anëtari të stafit mjekësor apo administrativ është nisur procedim penal.
Kuznetsova dyshohet për dy vepra penale sipas Kodit Penal të Ukrainës: shmangie të shërbimit ushtarak përmes mashtrimit gjatë kohës së luftës dhe mashtrim që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Nëse akuzat provohen në gjykatë, ajo mund të përballet me një dënim deri në 10 vite burg.
Në mars, kur rasti doli për herë të parë në media, oficerja reagoi përmes një postimi në Instagram, ku deklaronte se nuk ishte dënuar dhe as nuk ishte në kërkim nga autoritetet. Ky reagim ishte publikuar përpara njoftimit zyrtar për nisjen e hetimit penal.
Çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake dhe ndaj Kuznetsovës nuk ka një vendim gjykate që të vërtetojë fajësinë.
Rasti ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak se Ukraina ndodhet në luftë me Rusinë dhe përballet me nevoja të vazhdueshme për personel ushtarak. Për autoritetet, thelbi i çështjes nuk është pjesëmarrja e oficeres në një konkurs televiziv, por dyshimi se ajo ka shmangur detyrimet ushtarake, ka përfituar pagesa në mënyrë të paligjshme dhe mund të ketë pasur ndihmë për të mbuluar mungesën e saj.
Top Channel