Në seancën e dytë dhe më të vështirë dëgjimore në Kongres, Mark Zuckerberg e pranoi se, pjesë e skandalit të abuzimeve me informacionet e përdoruesve të “Facebook”-ut janë bërë edhe të dhënat e tij personale.

33-vjeçari e bëri këtë rrëfim kur ligjvënësit e pyetën sesi iu përgjigjej pretendimeve se kishte abuzuar në mënyrë joetike me të dhënat.

Pohimi i tij nënkupton se organizatat mund të kenë pasur qasje tek informacione mbi Zuckerbergun, që zakonisht nuk janë të disponueshme për publikun.

Shefi i rrjetit më të madh social të globit ka shpenzuar këtë javë më shumë se 10 orë përpara ligjvënësve amerikanë, e sërish nuk i është përgjigjur një pyetjeje tejet të rëndësishme: Sa të dhëna mbledh realisht Facebooku nga përdoruesit, por edhe jopërdoruesit e tij?

Kjo pyetje iu drejtua si në Komisionin e Senatit, ashtu dhe në atë të Dhomës së Përfaqësuesve, por Zuckerbergu iu shmang duke propozuar një shpjegim të mëvonshëm nga ekipi i tij.

Të mërkurën në “Capitol Hill” ai u shpreh se, “është e paevitueshme që ka ekzistuar nevoja për disa rregullatorë” lidhur me kompanitë e internetit, një ide e hedhur nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë.

Ndërsa nuk është e qartë sesi do të jenë këta rregullatorë, ligjvënësit thanë se duan një mbrojtje më të mirë të përdoruesve, pasi ajo çfarë ndodhi me “Cambridge Analytica”-n pati ndikim te miliona vetë.

Top Channel