Shoqëria e miliarderit Richard Branson ka lajmëruar se është kryer pa probleme testi i mjetit të saj hapësinor, “SpaceShip Two”, “VSS Unity”.
Një hap përpara ky drejt udhëtimeve private në hapësirë, që Branson e komentoi në Twitter. “Hapësira tani duket jashtëzakonisht pranë”.
“VSS Unity” nuk niset në fluturim si avionët normalë. Anija lançohet drejtpërdrejt në një kuotë të caktuar, nga një avion më i madh i quajtur “White Knight Two”.
Dy avionët u nisën të lidhur mes tyre, e pasi arritën në kuotën e mbi 14 mijë metrave, “VSS Unity” ndezi për të parën herë motorët dhe u shkëput, duke u ngjitur në një kënd prej 80 gradësh.
Pasi arriti në lartësinë e 25 mijë metrave, jashtë Atmosferës së Tokës, anija fiku motorët dhe nisi uljen drejt shkretëtirës kaliforniane “Mojave”.
Objektivi i “Virgin Galactic” është që në vitet e ardhshme të dërgohen turistë në hapësirë, me një kosto prej 250 mijë dollarësh për biletë. Një ëndërr kjo, që është vendosur para një prove të fortë. Një test i kryer nga “Virgin Galactic” në vitin 2014, në fakt u shndërrua në tragjedi.
Anija “VSS Enterprise” u copëtua dhe bashkëpiloti Michael Alsbury humbi jetën.
Top Channel