Familja sekrete e Kim Jong-un, Seuli: Lideri koreano-verior mund të ketë një djalë ose një vajzë më të vogël

10/09/2026 11:53

Vajza e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, mund të ketë një vëlla ose motër më të vogël, sipas një vlerësimi të fundit të inteligjencës së Koresë së Jugut.

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës së Koresë së Jugut vlerëson gjithashtu se Kim Joo-ae po trajtohet nga regjimi si pasardhësja e mundshme e babait të saj.

Kim Joo-ae është shfaqur gjithnjë e më shpesh në krah të Kim Jong-un në ngjarje të rëndësishme politike dhe ushtarake që prej vitit 2022. Mediat shtetërore koreano-veriore i kanë dhënë asaj edhe epitete që zakonisht përdoren për udhëheqësit e lartë dhe pasardhësit e tyre.

Inteligjenca e Koresë së Jugut kishte vlerësuar më herët se Kim Jong-un mund të ketë tre fëmijë, por rendi i lindjes së tyre nuk ishte i konfirmuar. Tashmë, Seuli thotë se ka indikacione se Kim Joo-ae ka një vëlla ose motër më të vogël. Ndërkohë, inteligjenca po vijon hetimet për të përcaktuar nëse ajo ka edhe një vëlla më të madh. Sipas vlerësimit të autoriteteve koreano-jugore, edhe nëse ekziston një vëlla më i madh, ai nuk konsiderohet kandidat për trashëgimin e pushtetit.

Kim Jong-un mori drejtimin e Koresë së Veriut në vitin 2011, pas vdekjes së babait të tij, Kim Jong-il. Ai vazhdoi dinastinë politike të familjes Kim, e themeluar nga gjyshi i tij, Kim Il-sung.

Trashëgimia e pushtetit në Korenë e Veriut mbetet një nga sekretet më të mëdha të regjimit, ndërsa shfaqjet publike të Kim Joo-ae kanë shtuar spekulimet se ajo mund të jetë duke u përgatitur për një rol të ardhshëm në drejtimin e vendit.

Top Channel