Një robot humanoid i zhvilluar nga prodhuesi kinez i telefonave inteligjentë Honor ka përshkuar 100 metra për vetëm 9.32 sekonda, duke tejkaluar rekordin botëror të vrapimit të vendosur nga sprinteri xhamajkan Usain Bolt.

Lajmi u raportua nga transmetuesi shtetëror kinez, ndërsa performanca u realizua gjatë një eventi prove për Lojërat e dyta Botërore të Robotikës Humanoide, të cilat u hapën në Pekin.

Roboti, i pagëzuar me nofkën “Rrufeja”, arriti një shpejtësi maksimale prej 14.5 metrash në sekondë gjatë garës 100-metërshe. Koha e tij prej 9.32 sekondash është më e shpejtë se rekordi botëror i meshkujve, prej 9.58 sekondash, i vendosur nga Usain Bolt në Kampionatin Botëror të vitit 2009 në Berlin.

Ky nuk është suksesi i parë i robotit në garat e vrapimit. Në prill, “Rrufeja” fitoi Gjysmëmaratonën e Pekinit, duke përshkuar distancën prej 21 kilometrash për 50 minuta e 26 sekonda, një rezultat që, sipas raportimeve kineze, ishte më i shpejtë se rekordi botëror njerëzor për meshkuj në këtë disiplinë.

Gjatë gjysmëmaratonës, roboti ishte 169 centimetra i gjatë dhe kishte këmbë 95 centimetra. Studiuesit më pas i zgjatën këmbët me 10 centimetra, duke i çuar në 1.05 metra, përpara zhvillimit të Lojërave Botërore të Robotikës Humanoide.

Performanca e fundit e “Rrufesë” është paraqitur si një tjetër hap në zhvillimin e robotëve humanoidë dhe aftësive të tyre për të kryer lëvizje gjithnjë e më të ngjashme me ato të njeriut.

Top Channel