Droni që frikësoi Zelenskyn/ Shkeli hapësirën moldave dhe u rrëzua, dalin detaje përse u vonua avioni

10/09/2026 12:34

Autoritetet moladave konfirmuan se një dron rus hyri në hapësirën ajrore të Moldavisë dhe vonoi nisjen e avionit me të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të udhëtonte drejt Norvegjisë.

Pas zbulimit të dronit, Moldavia mbylli përkohësisht hapësirën e saj ajrore. Avioni i Zelenskyt ndodhej në Aeroportin Ndërkombëtar të Kishinjevit dhe mori lejen për t’u ngritur vetëm pasi zyrtarët konfirmuan se droni kishte rënë. Sipas Associated Press, ai u rrëzua rreth 160 kilometra larg aeroportit. Ambasadori i Moldavisë në Shtetet e Bashkuara, Vladislav Kulminski, tha për CNN se incidenti ka të ngjarë të mos ketë qenë aksidental.

“Ne nuk besojmë se dronët reaktivë me helikë fluturojnë mbi territorin e Moldavisë vetëm për qëllime mbikëqyrjeje, ndërkohë që avioni i presidentit ukrainas ndodhet në aeroport”, deklaroi Kulminski. I pyetur nëse autoritetet moldave besojnë se droni mund të ketë pasur si objektiv Zelenskyn, ambasadori tha se hetimet janë ende në zhvillim dhe se është herët për të nxjerrë një përfundim. Ai shtoi se dihet që presidenti ukrainas përdor rregullisht hapësirën ajrore moldave gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, ishte ndër të parët që bëri publik incidentin.. Ndërkohë, autoritetet moldave raportuan se një dron i dytë hyri në hapësirën ajrore të vendit, por më pas vazhdoi fluturimin drejt Rumanisë. Dronët rusë kanë hyrë në mënyrë të përsëritur në hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Presidentja moldave, Maia Sandu, i ka dënuar këto incidente, duke i cilësuar shkeljet e hapësirës ajrore si “një kërcënim serioz për jetën e njerëzve”.

Pas vizitës në Norvegji, Zelensky udhëtoi drejt Kanadasë, ku pritet të takohet me kryeministrin Mark Carney. Presidenti ukrainas dhe bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, do të qëndrojnë në Kanada deri të premten. Kremlini nuk ka bërë ende koment për incidentin.

Top Channel