Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, qeveria përgatit ndihma për familjarët e viktimave, ministrit të Transporteve “gjyq” në Parlament
Një valë sulmesh kibernetike ka goditur sistemet e ftohjes së supermarketeve në disa vende evropiane, duke shkaktuar rritjen e temperaturave të ngrirësve deri në 50 gradë Celsius. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet, ndërsa dyshohet se pas sulmeve mund të qëndrojnë grupe hakerash pro-ruse.
Qeveria italiane ka bërë të ditur se deri më tani nuk janë konstatuar rreziqe për shëndetin e konsumatorëve. Sulmet janë regjistruar në Francë, Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Estoni, Holandë, Irlandë dhe Itali. Rasti i parë u raportua më 12 tetor në Francë, ndërsa më pas incidente të ngjashme u shënuan edhe në vende të tjera evropiane.
Përmes ndërhyrjeve në sistemet elektronike të kontrollit të temperaturës, hakerat kanë bërë që ngrirësit e supermarketeve të arrijnë temperatura deri në 50 gradë Celsius brenda pak orësh, duke rrezikuar ruajtjen e produkteve ushqimore.
Policia italiane e specializuar për krimet kibernetike po heton ngjarjet, të cilat dyshohet se mund të jenë pjesë e një operacioni të koordinuar, të planifikuar për të shkaktuar dëme ekonomike dhe për të cenuar funksionimin e sektorëve të rëndësishëm në disa vende evropiane.
Sipas hetuesve, ngjashmëritë mes incidenteve dhe mënyra e realizimit të tyre ngrenë dyshime se sulmet mund të jenë organizuar dhe kryer në mënyrë të sinkronizuar.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve është mungesa e kërkesave për shpërblim financiar apo e përpjekjeve për zhvatje. Gjithashtu, deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Për këtë arsye, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që incidentet të lidhen me të ashtuquajturën luftë hibride, e cila përfshin përdorimin e sulmeve kibernetike për të shkaktuar ndërprerje të shërbimeve, dëme ekonomike dhe destabilizim.
Mes pistave të hetimit është edhe përfshirja e mundshme e grupeve të hakerave proruse, megjithëse përgjegjësia për sulmet ende nuk është përcaktuar.
Pas përhapjes së incidenteve, Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike në Itali u ka kërkuar operatorëve të supermarketeve, kompanive të transportit dhe magazinimit të ushqimeve, si dhe bizneseve që administrojnë sisteme industriale të ftohjes, të forcojnë masat e sigurisë.
Agjencia ka rekomanduar përdorimin e rrjeteve private virtuale për lidhjet në distancë dhe shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në internet të sistemeve që kontrollojnë pajisjet industriale.
Autoritetet kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se sulme të ngjashme mund të shtrihen edhe në sektorë të tjerë strategjikë.
Në një deklaratë të publikuar nga Kryeministria italiane, Palazzo Chigi, bëhet e ditur se deri më tani nuk janë evidentuar raste që paraqesin rrezik për shëndetin publik si pasojë e shkrirjes së produkteve të ngrira.
Sipas qeverisë, çdo anomali e konstatuar u raportohet nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike njësive të specializuara të Karabinierëve për mbrojtjen e shëndetit, me qëllim ndërhyrjen në kohë.
Deklarata u publikua pas një mbledhjeje në selinë e qeverisë italiane, ku morën pjesë nënsekretari i Kryeministrisë, Alfredo Mantovano, ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës.
Autoritetet italiane kanë theksuar se situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe se po bashkëpunojnë me përfaqësuesit e sektorëve të prekur për të parandaluar incidente të tjera.
Top Channel