Kombëtarja Shpresa e Shqipërisë do të përballet me Sllovakinë pasditen e të premtes, në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Europianit të U-21.
Trajneri Alban Bushi në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së 6-të në grup, kërkoi që skuadra të bëjë më të mirën, duke u treguar e kujdesshme pasi kundërshtari nuk është i thjeshtë.
“Nëse i tolerojmë në mesin e fushës, apo në mbrojtje, atëherë ata patjetër do të na ndëshkojnë, ndaj duhet të luajmë të përqendruar për 90 minuta. Ndeshja është e barabartë dhe mund të fitojmë ne, por edhe ata. Gjithsesi, synimi ynë është të marrim 3 pikët, pasi çdo rezultat tjetër, na heq shpresat për vendin e dytë”, tha Bushi.
Trajnerit të Shpresave llogaritë mes lojës dhe pikëve nuk i dalin, me Bushin që mendon se skuadra meritonte të qëndronte më lartë në renditje dhe pikë në grupin e saj eliminator për atë që skuadra ka dhënë në fushë.
“Kjo skuadër meritonte të kishte shumë më tepër pikë në grup, por kanë qenë pikërisht disa detaje të vogla që na kanë ndëshkuar. Jam i bindur që thuajse në çdo takim ne e kemi dominuar kundërshtarin dhe kemi marrë shumë më pak sesa meritonim”, deklaroi Bushi.
Në skuadër mungojnë disa lojtarë, që kanë shkuar në kombëtaren e madhe, por është rikthyer Rey Manaj, një sulmues me shumë eksperiencë, për të cilin Bushi ka superlativa.
“Është super-profesionist dhe jo futbollist problematik, ashtu siç kemi dëgjuar për të. Është treguar shumë i sjellshëm me shokët dhe i gatshëm për t’i ndihmuar, ndaj presim shumë nga ai nesër”, tha Bushi.
Trajneri i 21-vjeçarëve, si gjithmonë në takimet e fundit, bëri edhe një apel për tifozërinë, të cilës i kërkoi të jetë e shumtë në numër, në shkallët e ‘Selman Stërmasit’, ku hyrja do të jetë e lirë.
“Ftojmë tifozërinë të jetë e shumtë në numër, në stadium, pasi nuk do t’ju zhgënjejmë. Ata janë një burim frymëzimi për futbollistët e mi, që janë të rinj dhe kanë nevojë për përkrahje”, deklaroi trajneri Bushi.
Top Channel