Tenis, Federer dhe Del Potro kalojnë në çerekfinalet e Indian Wells-it

15/03/2018 11:45

Roger Federer vazhdon të mos njohë humbje për vitin 2018. Tenisti zviceran, i cili është në Kaliforni për turneun Masters të Indian Wells-it, u kualifikua për në çerekfinalet e këtij evenimenti teksa mposhti në 1/8 e finaleve numrin 100 të renditjes së botës, Jeremy Chardy, me rezultatin 2-0, që është fitorja e 4-t në 5 ndeshjet direkte të zhvilluara me francezin.

Federer nuk e pati shumë të vështirë të fitojë këtë përballje ndaj Chardy. 36-vjeçari fitoi nga një “game” me shërbimet e kundërshtarit në çdo set, duke i fituar ata 7-5 dhe 6-4, për të qenë mes 8 më të mirëve të turneut. Federeri do të luajë në çerekfinale ndaj Chung, me këtë të fundit që eliminoi Cuevas, duke e mundur 2-0.

U kualifikua për në çerekfinale të Indian Wells-it edhe argjentinasi Juan Martin Del Potro, i cili mundi bashkëkombasin e tij Leonardo Mayer 2-1, pas 2 orë e 30 minutash lojë. Del Potro, numri 8 i botës e humbi setin e parë 3-6, por arriti të fitojë dy të tjerët 7-6 dhe 6-3 dhe si kundërshtar të radhës do të ketë Philip Kohlschreiber, i cili mundi francezin Herbert.

Shënoi emrin mes 8 më të mirëve të Indian Wells-it edhe Borna Coric, i cili mposhti amerikanin Taylor Fritz me rezultatin 2-1. Kroati fitoi lehtë setin e parë 6-2, por humbi të dytin 6-7. Në setin e tretë, Coric iu imponua rivalit të tij, duke e fituar këtë fraksion të lojës 6-4 e si përfundim edhe krejt ndeshjen. Përballë Coricit, në çerekfinale do të jetë Kevin Anderson, i cili eliminoi spanjollin Pablo Carreno Busta.

Kuadri i ndeshjeve çerekfinale plotësohet nga sfida mes Sam Querrey dhe Milos Raonic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA