Presidenti i FIA-s, Jean Todt: F1 s’mund të mbështetet vetëm te kufizimi i kostove

15/01/2018 12:42

Formula 1 nuk mund të mbështetet vetëm te kufizimi i buxhetit, si kundërpërgjigje për të ulur kostot e garave të çmimeve të mëdha. Të paktën kështu shprehet presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Jean Todt.

Edhe pse limiti i përcaktuar i shpenzimeve ekipore po tentohet nga pronarët e rinj të Formulës 1 si një ndryshim kyç për të ardhmen e këtij sporti, Todt beson se do të ishte një gabim nëse do të mbështetej vetëm në këtë drejtim, ekskluzivisht si një mënyrë për të kontrolluar shpenzimet.

Ish-drejtuesi i lartë i Ferrarit thotë se kufizimi i kostove duhet të shkojë “dorë më dorë” me të tjera rregulla, që do ta bënin Formulën 1 një sport më pak të kushtueshëm, përndryshe ekziston rreziku që kjo ide të dështojë.

“Kemi folur në lidhje me kontrollin e shpenzimeve, apo tavanin e kostove prej pak kohe tashmë”, tha Todt. “Besoj se është një lëvizje e mirë, por për mua personalisht, kjo gjë duhet të bëhet me kombinimin e të tjera masave. Ne duhet të bëjmë një rregullore që duhet të ketë ndikim te kostot aktuale. Nëse themi thjesht që do të vendosim një tavan kostoje, nuk mendoj se do të funksionojë. Deri më tani, çdo përpjekje për këtë gjë ka dështuar. Duhet të mundemi të biem dakord për diçka që do të ishte më e sofistikuar, në mënyrë që të arrihej ky objektiv”.

Shefat tregtarë të Formulës 1 pritet të ulen kokë më kokë me drejtuesit e ekipeve gjatë këtij dimri, për të diskutuar më në detaje idenë e kufizimeve buxhetore. Por, teksa të gjitha ekipet pranojnë se diçka duhet bërë rreth kostove, mbetet ende skepticizëm nëse është funksional tavani i kostove apo jo.

Bosi i Red Bullit, Christian Horner është i pasigurtë mbi këtë politikë, gjë që ka qenë gjithnjë një prej arsyeve pse përpjekjet e mëparshme kanë dështuar. Megjithatë, ai i bën jehonë idesë së Todt, se bashërendimi i disa rregullave të tjera për të kufizuar shpenzimet është tejet thelbësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA