Ish-sulmuesi legjendar i kombëtares spanjolle, Fernando Torres, ka vërtetuar edhe një herë se vazhdon të gëzojë një formë fizike të shkëlqyer pas lënies së futbollit, por këtë herë jo duke shënuar gola.

I njohur me nofkën “El Niño”, Torres është bërë qendra e vëmendjes pasi ka testuar fuqinë e tij në një makinetë boksi (punching machine).

Në një video të fundit, ish-ylli i Atletico Madrid, Liverpool dhe Chelsea shihet duke u përqendruar para se të lëshojë një goditje të rrufeshme me dorën e djathtë. Goditja ishte aq e fuqishme saqë ekrani i makinetës regjistroi një rezultat mbresëlënës prej 970 pikësh, një shifër shumë e lartë për këtë lloj loje.

Të pranishmit, të cilët po e ndiqnin me kuriozitet, mbetën të habitur nga forca e tij dhe shpërthyen menjëherë në brohoritje. Videoja tregon Torresin të buzëqeshur teksa përqafohet me miqtë e tij duke festuar këtë “arritje” të re.

Që pas tërheqjes nga futbolli profesionist, spanjolli i është përkushtuar intensivisht palestrës dhe transformimi i tij fizik ka qenë shpesh temë diskutimi në rrjetet sociale. Kjo goditje e fuqishme është thjesht prova e radhës që “El Niño” është në një formë fizike fantastike.

Top Channel