Eliminimi nga Kupa e Italisë ka qenë një goditje e madhe për Napolin dhe këtë nuk e fsheh as mbrojtësi i shqiptar Elseid Hysaj. Në një intervistë për Radio Kiss Kiss Napoli, mbrojtësi i djathtë tregon situatën në skuadër.

“Jemi pak të mërzitur për humbjen me Atalantën. Sigurisht na bën të ndihemi keq, por nga ana tjetër na jep forcë për të shkuar më larg në kampionat. Dhe duhet të ringrihemi menjëherë, që në ndeshjen e radhës me Veronën. Duhet të jemi agresivë dhe të bëjmë maksimumin për të fituar. Duam të qëndrojnë në nivelet më të larta dhe ta nisim mirë vitin. Ndihem shumë mirë në Napoli dhe më pëlqen futbolli që bëjmë, kemi dëshirë të madhe për të reaguar dhe për të dhënë më të mirën. Sarri na kërkon të jemi më të egër, por mendoj se jemi mjaftueshëm inteligjentë dhe i kemi kuptuar gabimet tona. Kampionati është i gjatë dhe duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Inter dhe Roma janë shumë pranë dhe mund të na bashkohen në luftën për titullin”, deklaroi Hysaj.

Hysaj është një nga zgjedhjet që ka bërë trajneri Sarri që në momentin që ai kaloi nga Empoli te Napoli dhe duket se edhe Hysaj ka vlerësim të veçantë për të. “Na kërkon gjithnjë që të luajmë futbollin tonë dhe egërsia është natyrale. Jemi inteligjentë për të kuptuar shpejt se ku gabojmë, për të përmirësuar gjërat tona”, tha Hysaj.

Një mesazh Hysaj nuk harron ta dërgojë edhe për tifozët: “Shpresoj shumë në mbështetjen e pakufizuar të tifozëve dhe dëshirojmë që stadiumi të jetë gjithnjë i mbushur plot”, përfundoi deklaratën e tij mbrojtësi shqiptar i Napolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA