Italia, Frattesi flet pa filtra: I kënaqur që u kthye Mancini, te Lazio shkova për Gattuso

23/09/2026 15:50

‘Jam shumë i kënaqur që Mancini u kthye, përsa i përket vendimit të tij për t’u larguar vite më parë nuk është diçka që na përket ne futbollistëve. Gjithsesi nuk mund ta bëjmë fajtor, do të doja të shihja sa njerëz do të vepronin ndryshe’-kjo është ajo që ka thënë Davide Frattesi teksa foli nga Coverciano ku është i grumbulluar me kombëtaren italiane.

‘E gjetëm Mancinin siç e kishim lënë. Nuk shohim vetëm për javën e ardhshme, por për më larg-shtoi Frattesi-edhe duke gabuar, por e rëndësishme është të rigjejmë veten sepse kur ndeshjet do të marrin peshë, vetëm duke gabuar mund të bëjmë më mirë. Dhe futbollistët e rinj do të na ndihmojnë shumë, por po e përsësis, shohim më larg dhe jo vetëm  në javën e ardhshme’.

Ndërkaq, mesfushori ka kaluar te Lazio ku ka gjetur sërish Rino Gattuso.

‘Shkova atje sepse doja të kthehesha te ai klub dhe sepse do të gjeja trajnerin-tha Frattesi-sa gola duhet të shënoj për të shlyer faktin që nuk shënova në Zenica ndaj Bosnjes? Nuk thamë gjëra të bukura në verë, më nxiti në mënyrën e tij, ai zhgënjim është një plagë që derdh akoma gjak, nuk flasim kurrë, është një temë e rëndë për të dhe për mua’.

Tani Frattesi duket se është i lumtur si në kohët e Sassuolos

‘Janë dy lloje lumturish të ndryshme-shtoi mesfushori-në këto 3 vite te Interi kam përjetuar momente të papërsëritshme  në aspektin e emocioneve, ka pasue ulje e ngritje. Vitin e parë gjërat rrodhën shumë mirë, më pas ka pasur ulje e ngritje, më shumë ulje se ngritje. Pastaj në një vend ndihesh shumë mirë vetëm nëse luan, kjo është e vërteta. Tani jam shumë i lumtur se u ktheva të argëtohem, gjë që më mungonte vitin e kaluar te Interi. Janë periudha, por tani u kthye argëtimi që përjetoja kur isha fëmijë’

Frattesi foli për mungesën e futbollistëve të Juventusit e Milanit në kombëtaren italiane.

‘Mjafton të shohësh formacionet e klubeve të Serie A-tha Frattesi-Juventus ndaj Sassuolos kishte vetëm Vicarion në fushë. Milani ndaj nesh kishte Cisse. Nëse futbollistët nuk luajnë, si mund të vijnë në kombëtare? Ky është problemi, edhe sepse kemi relativisht shumë pak djem që luajnë në kampionatet jashtë Italisë. Ky është një argument për të cilin duhet folur më shumë, por nuk më takon mua ta bëj’.

Top Channel