Kushtet e Brexit, Malta: BE-ja nuk po luan bllofin

25/11/2016 08:40

Liderët e Bashkimit Evropian nuk po bëjnë bllof kur thonë se Britania nuk do të ketë akses në tregun e përbashkët pas largimit nga blloku, nëse nuk pranon lëvizjen e lirë të njerëzve. Kështu deklaroi kryeministri i Maltës Joseph Muscat, në një intervistë për BBC.

Malta merr presidencën e BE-së në janar dhe sipas Muscat, në kuadër të Brexit, pozicioni i unionit është i pandryshueshëm. Shumica e debatit për largimin e Britanisë nga BE-ja është përqëndruar në dy opsione. Së pari, që quhet Brexit i butë, në të cilin Britania ruan një farë anëtarësimi në tregun e përbashkët në këmbim të lëshimeve për kontrollin e emigracionit. Së dyti, Brexit i ashpër, që parashikon largimin e plotë nga tregu i përbashkët, por kontroll të plotë të emigracionit.

Megjithatë, kryeministri Muscat tha se ka shumë çështje të tjera që duhen zgjidhur, si fatura që Britania duhet të paguajë para largimit, çfarë do të ndodhë me kufirin mes Britanisë dhe Irlandës, si dhe çështje të tjera të përbashkëta të sigurisë. Por, përsa i takon tregut të përbashkët dhe lirisë së lëvizjes, Muscat u tregua i prerë.

“Ne duam një marrëveshje të mirë për Britaninë, por jo një marrëveshje superiore. Pala evropiane nuk po bën bllof. Në takime nuk bëjmë si të fortë që të zbutemi më pas. Pa liri lëvizjeje nuk ka treg të përbashkët për Britaninë. Ky është pozicioni ynë”, deklaroi Muscat.
 
Ai pranoi se bisedimet do të jenë të vështira dhe se BE-ja mund të humbasë nga largimi i Britanisë, por një gjë është e sigurt: Mbretëria e Bashkuar nuk do të arrijë një marrëveshje më të mirë se ajo që ka aktualisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA