Mediat polake: Skandal në Tiranë!

30/07/2015 00:00

Ndeshja mes Kukësit dhe Legias së Varshavës, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Europa League, u ndërpre përfundimisht në minutën e 7 të pjesës së dytë, në kohën kur rezultati i takimit ishte 1-2 për polakët, për shkak se një lojtar i ekipit kundërshtar është goditur me mjete të forta nga tifozët e pranishëm në tribuna.

Ngjarja në këtë ndeshje është pasqyruar menjëherë në mediat polake, të cilat e kanë cilësuar si skandaloze atë që ndodhi në “Qemal Stafa”.

“Skandal në Tiranë! Ndeshja ndërpritet pas sulmit me gurë ndaj Duda-s”, ky është titulli i portalit polak “Sportowefakty.pl”. Ndërsa brenda në shkrim thuhet se Duda u godit me gurë nga tifozët e Kukësit dhe më pas ka dalë nga fusha e lojës me barelë për shkak të goditjes së marrë. Mjekët i qepën plagën e shkaktuar nga guri dhe më pas e fashuan lojtarin, i cili ishte i gatshëm për të vazhduar, shkruan me tej kjo faqe online, por ka qenë asistenti i kryesorit, Stefan Klossner, i cili i ka dërguar lojtarët në dhomat e zhveshjes, ku më pas u vendos që ndeshja të mos luhej më tej.

Po ashtu edhe “Sport.se.pl”, shkruan se ndeshja është ndërprerë nga sjellja skandaloze e tifozëve të skuadrës shqiptare. Për ta tashmë është e sigurt fitorja në tavolinë e Legias 0-3, madje shtojnë se Kukësi me shumë mundësi do të përjashtohet dhe nuk do ta luajë as ndeshjen e kthimit në Poloni. Në këtë portal i është kushtuar rëndësi edhe banderolave në stadium. “Fundi i ndeshjes do të jetë fundi i jetës suaj. Unë nuk jam sllav, unë jam shqiptar”, është njëri nga mbishkrimet në banderola, të cituara në këtë media.

“Sport.se.pl” shkon edhe më tej, kur shkruan se lojtarët e Legias janë ndjerë si në ferr në “Qemal Stafa” nga atmosfera e krijuar nga tifozët vendas.

Edhe nga mediat ndërkombëtare sportive, si “ESPN” thuhet se lojtari polak është goditur nga tifozët e Kukësit me gurë. Ndërprerja e ndeshjes në “Qemal Stafa” është pasqyruar edhe nga “The Guardian”, por në ndryshim nga mediat polake, gazeta britanike nuk e cilëson se nga cilët tifozë ishte goditur. Ndërsa më tej shkruan se lojtari polak, Duda, është fashuar dhe ka qenë i gatshëm për t’u futur sërish në fushën e lojës. “The Guardian” përmend në shkrim edhe precedentë të mëparshëm të tifozëve të Legias, ku thotë se edhe në sezonin e kaluar të Champions League, ka pasur tensione në ndeshjen që polakët zhvilluan ndaj Celtic.

Ndërkohë, në një postim në llogarinë zyrtare të Legias në “Twitter” shkruhet: “Ndeshja në Tiranë u ndërpre. Ondrej Duda u godit me një gur nga tifozët e Kukësit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA