Kombëtarja, paraditen e kësaj të diele nisi punën për sfidën e radhës së Nations League, atë me San Marinon që do të luhet në mbrëmjen e 6 tetorit në Air Albania Stadium.

Në seancën e radhës stërvitore, skuadra u nda në 2 grupe ku lojtarët që nuk u aktivizuan në sfidën ndaj Finlandës kryen një stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët bënë vetëm rikuperim dhe fizioterapi.

Ndërkaq, lista e futbollistëve të grumbulluar ka pësuar ndryshime. Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon se mesfushori Feta Fetai dhe mbrojtësi Samuele Sina do t’i bashkohen kombëtares U21 për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi për ndeshjen miqësore me Ukrainën që do të luhet këtë të hënë në Hungari.

Ndërsa mesfushori Luis Hasa, i kaloi problemet shëndetësore dhe i është bashkuar skuadrës dhe është në gatishmëri të plotë për sfidën e Nations League. Po kështu, trajneri Rolando Maran ka thirrur në skuadër Simon Simoni që do të zëvendësojë Etrit Berishën të  skualifikuar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen me Finlandën. Simoni i është bashkuar tashmë skuadrës kombëtare për të qenë në sfidën me San Marinon, një ndeshje që do të transmetohet në platformën Digitalb.

 

Top Channel