
Grupet teknike nga Prishtina dhe Beogradi rinisin të enjten në Bruksel negociatat për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
Sipas raportimeve të “RTK”, qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se temë qendrore e bisedimeve do të jetë çështja e zbatimit të rezultateve nga zgjedhjet lokale.
Sipas qeverisë, këto rezultate duhet të legjitimohen “sipas ligjeve të Kosovës në komunat veriore të vendit”. Inaugurimi i katër komunave veriore me shumicë serbe është shtyrë dy herë deri më tani, për shkak të ftesave ku nuk figuronin simbolet e Kosovës.
Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi diskutuan një ditë më parë rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, si dhe për zhvillimet tjera aktuale në vend.
Presidentja Jahjaga ofroi mbështetjen e saj për procesin e dialogut dhe theksoi se procesi i integrimit lehtësohet vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.
Takimi i fundit mes palëve ishte ai më 13 dhjetor, ku Kosova dhe Serbia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, por nuk arritën marrëveshje për gjykatat në veri.
Top Channel