Kontrabandë mallrash nga Greqia, arrestohen 2 persona në Gjirokastër, sekuestrohen mbi 22 mijë euro dhe 100 steka cigare

20/09/2026 09:44

Shtetasit Olcian Lami dhe Markeljan Dida, janë arrestuar në Gjirokastër pasi u kapën duke transportuar me autobus mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.

Operacioni policor i koduar “Akciza 3” u zhvillua në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, ku gjatë kontrollit të autobusit u gjetën të fshehura 100 steka cigare dhe 22 695 euro.

Në bagazhin e autobusit u sekuestruan gjithashtu produkte mishi dhe deti, bulmet, medikamente, veshje të markave të ndryshme dhe mallra të tjera. Në pranga ranë dy 43-vjeçarë nga Tirana, ndërsa policia vijon hetimet për persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Njoftimi:

Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Akciza 3”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

U kapën në flagrancë, në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, duke transportuar me autobus mallra të ndryshme të kontrabanduara nga Greqia, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 22 695 euro, 100 steka me cigare dhe mallra të tjera të kontrabanduara, si dhe autobusi dhe 1 aparat celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas informacioneve të marra nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, goditën një rast të kontrabandimit të mallrave nga Greqia.

Për këtë rast u vunë në pranga shtetasit O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin që këta shtetas e drejtonin me radhë. Gjatë kontrollit në autobus janë gjetur të fshehura, në vende të mbyllura, 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, si dhe, në bagazh, janë gjetur kuti me produkte të ndryshme deti dhe mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera, të cilat dyshohet se këta shtetas i kanë kontrabanduar nga Greqia.

Mallrat, autobusi dhe 1 aparat celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel