Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar identifikimin e tri viktimave të luftës në Kosovë, pas analizave të ADN-së të kryera mbi mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti bëri të ditur se lajmin e ka marrë në nisje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka përcjellë tri raportet e para të ADN-së.

Sipas tij, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave dhe kanë vërtetuar lidhjen e tyre me të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve”, i përbërë kryesisht nga qytetarë të Skenderajt dhe Mitrovicës.

Bëhet fjalë për persona që, sipas Kurtit, u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Raportet e ADN-së i janë përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjarët e tri viktimave për identifikimin.

Kurti tha se në ditët dhe javët e ardhshme priten edhe rezultatet e tjera për mostrat e dërguara për analizë, duke shprehur shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Sipas tij, gjetja e varrit masiv në Kalludër ishte konfirmuar më 27 korrik, ndërsa nga këto lokacione janë nxjerrë mbetje mortore që tashmë po i nënshtrohen procesit të identifikimit.

Kryeministri i Kosovës ka kërkuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë presionin ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve lidhur me personat e zhdukur, veçanërisht për hapjen e arkivave dhe vënien në dispozicion të dokumentacionit që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Kurti theksoi se identifikimi i personave të zhdukur mbetet një prioritet institucional i Kosovës dhe se procesi do të vijojë me kërkime në terren, identifikime përmes ADN-së dhe komunikim me familjet.

“Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, është shprehur Kurti.

Postimi i Kurtit:

Në nisje të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u njoftova nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe menjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.

Në ditët dhe javët në vijim, presim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve.

Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër. Gjatë vizitës në këtë lokacion, theksova se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.

Përkushtimi ynë institucional do të vazhdojë me kërkime në terren, mbështetje për procesin e identifikimit dhe komunikim të drejtpërdrejtë e të kujdesshëm me familjet. Do të qëndrojmë pranë tyre dhe do t’i mbështesim në kërkesat për të vërtetën, drejtësinë dhe kthimin me dinjitet të më të dashurve.

Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje.

Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Top Channel