Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e organizuar në kundërshtim me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në protestë marrin pjesë veteranë të UÇK-së, familjarë të të dënuarve dhe qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Ky është tubimi i dytë i zhvilluar sot në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj dënimeve të dhëna për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke kërkuar që procesi të vazhdojë në shkallët e tjera të gjykimit.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Katër ish-krerët u shpallën fajtorë për disa vepra penale të lidhura me krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për disa prej akuzave për krime kundër njerëzimit.
Protestuesit kërkojnë rishikimin e vendimit përmes procedurave të apelimit dhe kanë kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar lufta e UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Top Channel