Skënderbeu merr për të tretin vit radhazi trofeun e titullit kampion të Superligës, ndërkohë që Kukësi bën surprizën duke e mbyllur sezonin si nënkampione e Shqipërisë në futboll.
Kukësi dhe Skënderbeu, që i kishin arritur objektivat e tyre dhe nuk kishin çfarë të synonin më, e shëndërruan në një spektakël ndeshjen në “Zeqir Ymeri”, duke shënuar 7 gola para 5 mijë tifozëve kuksianë, të cilët festuan gjatë gjithë ndeshjes.
Kukësi, skuadra surprizë e këtij sezoni, solli dhe një rit të ri në futbollin shqiptar, i cili shihet vetëm nëpër kampionatet europiane.
Para ndeshjes verilindorët formuan tunelin në fushën e lojës dhe pritën me duartrokitje lojtarët e Skënderbeut, të cilët prej tre vjetësh po dominojnë Superligën.
Korçarët e Mirel Joses do të përfaqësojnë Shqipërinë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Kukësi dhe Teuta në Europa League. Ndërkohë, skuadrat që do të zbresin një kategori më poshtë janë: Apolonia, Tomori, Luftëtari dhe Shkumbini.
Ky sezon futbollistik do të përfundojë me finalen e Kupës së Shqipërisë, e cila do të luhet mes Bylisit dhe Laçit më 17 maj, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.
Top Channel