Ndërkohë që një numër i lartë shqiptarësh vendosën t’i kalonin pushimet e tyre jashtë vendit, duket se numri i të huajve që këtë vit kanë zgjedhur Shqipërinë është rritur me 16% më shumë se i kaluari.
Statistikat e personave që kanë vizituar Shqipërinë nga periudha 1 janar deri më 31 gusht 2011 i ka bërë të ditura ministri i MTKRS, Aldo Bumci në një konferencë për shtyp.
Sipas të dhënave të ministrisë, janë në total 2 milionë e 990 mijë vizitorët gjatë 8 muajve të parë të vitit. Dy milionë e 120 mijë prej tyre janë me nënshtetësi të huaj, ndërsa 870 mijë janë vizitorë shqiptarë jorezidentë.
Numrin më të madh të vizitorëve e zënë shtetasit kosovarë me 51%, më pas vijnë ata maqedonas, malazezë, italianë, grekë, gjermanë, amerikanë, etj.
Pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj kanë qenë vizitorë që kanë qëndruar me netë në Shqipëri, ndërsa pjesa tjeter janë ditorë dhe tranzit. Rreth 50% e turistëve të huaj vijnë kryesisht në periudhën korrik-gusht.
Sfidat e MTKRS janë shpërndarja e turizmit gjatë të gjithë vitit dhe në më shumë zona të vendit. Pra, shfrytëzimi i zonave malore, që përpos Thethit dhe Valbonës, kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Një objektiv i rëndësishëm për ministrinë është vecanërisht shfrytëzimi i turizmit kulturor.
“E vetmja mënyrë për ta bërë vendin të njohur është të promovojmë turizmin kulturor. Kemi një vijë të gjatë plazhi dhe male të bukura. Ajo që kemi trashëguar ne është trashëgimia kulturore, le t’ia tregojmë botës”, deklaroi ministri Bumci.
Sipas burimeve të ministrisë, të ardhurat prej të huajve që kanë vizituar parqet arkeologjike dhe muzetë kombëtarë kanë shënuar rritje në total prej 20%.
Top Channel