Shqiptarët marrin më shumë kredi, huamarrja arrin nivelin më të lartë të vitit. Kursimet në banka mbi 1.5 trilionë lekë
Në ajër, det dhe në rrugë, ritmi i transportit në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Por, ndërsa aeroportet dhe portet shënojnë rekord pas rekordi, hekurudha vijon të mbetet hallka më e dobët e sistemit të transportit në vend.
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se transporti ajror vazhdon të jetë motori kryesor i lëvizjes. Vetëm në tre muaj kanë udhëtuar me avion 3 milionë e 858 mijë pasagjerë, ose 26.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, janë kryer mbi 23 mijë fluturime, ndërsa në hapësirën ajrore shqiptare kanë kaluar mbi 121 mijë avionë, ku pjesa më e madhe janë mbikalime. Nga ana tjetër, transporti i mallrave me avion ka rënë me 11.9%, duke treguar se rritja po mbështetet kryesisht te lëvizja e pasagjerëve.
Edhe transporti detar paraqitet në rritje. Në portet shqiptare janë përpunuar afro 2.4 milionë ton mallra, rreth 9% më shumë se një vit më parë. Vetëm Porti i Durrësit përballon 94.2% të të gjithë volumit të mallrave që transportohen me det.
Ndërkohë, mbi 336 mijë pasagjerë kanë udhëtuar nëpër portet e vendit, ku Saranda mban peshën kryesore me 60.6% të tyre, një tregues që lidhet drejtpërdrejt me sezonin turistik.
Në rrugë, numri i mjeteve në qarkullim ka kaluar në 1 milion e 92 mijë, me një rritje prej 9% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse regjistrimet e reja kanë pësuar një rënie të lehtë prej 0.9%, Tirana vijon të përqendrojë mbi një të tretën e të gjitha automjeteve në vend.
Në kontrast me këto zhvillime, transporti hekurudhor vazhdon të tkurret. Volumi i mallrave të transportuara me tren ka zbritur në 103.7 mijë ton, me një rënie prej 13.8%, ndërsa puna transportuese është ulur me 15.1%.
Aktualisht, në funksion janë vetëm 253 kilometra linjë hekurudhore, çka tregon se ky sektor mbetet shumë larg ritmit të zhvillimit që po përjetojnë transporti ajror dhe ai detar.
Mbetet për t’u parë nëse viti 2027 do të shënojë një kthesë për këtë sektor, me vënien në funksion të hekurudhës Tiranë–Durrës–Rinas.
Top Channel