Tashmë që e gjithë natyra ka marrë ngjyrat e bukura të pranverës, fundjava e gjen Belshin të pushtuar nga turistët e huaj. Të ardhur nga vende të ndryshme të botës turistët mahniten nga natyra e Shqipërisë dhe mikpritja shqiptare.
“Jam nga Londra, me origjinë jam nga Gana. Është hera e dytë që e vizitoj Shqipërinë. Kam qenë këtu më parë. Kam vizituar Krujën. Por është hera ime e parë në Belsh. Më pëlqen natyra e qetësia këtu. Përfundimisht shqiptarët janë shumë të ngrohtë e mikpritës”, u shpreh një turiste.
“Jam nga India. Është hera e parë këtu dhe është shumë bukur. Mbërritëm dje. Sot do të shkojmë në Berat. Do të qëndroj këtu 5 ditë. Kisha dëgjuar për rivierën shqiptare dhe kjo është arsyeja që vendosa ta vizitoj”, tha një vizitore nga India.
“Jemi nga Holanda e jemi me pushime këtu. E nisëm nga Shkodra e tani jemi në Belsh e do të shkojmë në Berat. Më pëlqen Shqipëria ju jeni një vend i bekuar gjithandej”, thotë një turiste nga Holanda.
Ka nga ata që Shqipërinë e kishin menduar ndryshe e të therë që gjykojnë se shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë.
“Unë jam nga Franca. Është hera ime e parë në Shqipëri. Njerëzit janë shumë të këndshëm këtu. Është një mënyrë shumë e mirë për ta zbuluar vendin tuaj.
Është shumë ndryshe nga sa e kisha imagjinuar në të kaluarën. I kisha menduar njerëzit më të ftohtë. Në fakt janë shumë miqësorë. Është e lehtë të udhëtosh”, thotë turisti francez.
Rreth 500 mije turiste vendas e te huaj vizitojnë çdo vit zonën e Dumresë. E konsideruar një Toskanë e vogël në qendër të Shqipërisë Belshi shënon kulmin e vizitorëve në pranverë dhe vjeshtë. Freskia e 82 liqeneve, kodrat e zbukuruara me ullishte e padyshim gatimet tradicionale e kanë shndërruar Dumrenë në destinacion fundjave.
Top Channel