Durrësi dhe bregdeti i tij vijojnë të presin turistë të shumtë edhe në këto ditë tetori.
Në këtë periudhë qyteti, periferia dhe bregdeti janë më të qetë dhe udhëtimi zhvendoset nga pushimet klasike te historia, kultura dhe eksplorimi.
“Më pëlqeu shumë Amfiteatri. Ishte shumë interesant. Edhe Kulla, Torra këtu, më pëlqeu shumë. Ciceroni na e shpjegoi shumë mirë.”
“Po bëjmë një udhëtim turistik nëpër Shqipëri, një vend shumë interesant sepse ka histori. Mendoja se një pjesë e saj ishte fshirë për shkak të komunizmit, por në fakt ka ende shumë vende për t’u parë. Durrësi duket një qytet dinamik, me turizëm dhe vijë bregdetare mjaft të mirë. Vjeshta është kohë perfekte për të ardhur këtu.”
Disa prej tyre kanë ardhur pasi e kanë zbuluar Durrësin përmes ekranit.
“Ajo e pa në televizion. Thuhej se ishte një vend sekret që duhej vizituar. Kështu vendosëm të vinim dhe për të festuar ditëlindjet tona këtë tetor”
“Jam nga Shtetet e Bashkuara. Është hera e parë dhe bukur deri tani. Studioj në Athinë, kështu që vendosëm të vijmë këtu për ca ditë pushimesh.”
Tetori nuk e përjashton as detin. Në ditët me diell, Adriatiku mbetet ende pjesë e përvojës turistike.
“Donim një vend ndryshe dhe më pëlqen të kuptoj historinë tuaj dhe transformimet që po kaloni. Po dhe kemi notuar në det! Ishte shumë mirë. Uji, shumë më i ngrohtë nga sa e mendonim.”
“Zgjodha tetorin se moti është i qetë, i bukur.. Gjithashtu, çmimet për hotelet dhe fluturimet janë më të lira se në verë, kur është piku i sezonit. Po e shijoj shumë. Është vërtet bukur.”
“Donim një destinacion më ekonomik dhe afër Italisë dhe sigurisht Durrësi është buzë detit. Neve na pëlqen deti.”
Vjeshta sjell turizmin e qetë dhe më ekonomik. Më pak turma, më shumë kohë për qytetin dhe një sezon që vazhdon edhe kur plazhet mbyllen.
Top Channel