Në fundjavë, aerodromi turistiko-sportiv i Gjirokastrës mirëpriti 12 avionë sportivë, 10 nga Italia, si dhe dy avionë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Nëpërmjet këtyre fluturimeve direkte mbërritën në qytetin e gurtë rreth 30 turistë. Turizmi ajror tashmë është një mundësi e mirë për zhvillimin turistik të Gjirokastrës dhe jugut të vendit, shprehen pilotët pjesëmarrës në këtë aktivitet.
“Kam impresion të veçantë nga pjesëmarrja në këtë aktivitet, është hera e parë që ndodhem në Shqipëri, është shumë bukur si përsa i përket eventit në aerodrom ashtu edhe qytetit, sigurisht me mbështetjen edhe të institucioneve mund të zhvilloni turizmin e ajrit”
“Gjirokastra është një qytet shumë i bukur me njerëz mikpritës ndërsa kushtet këtu në aerodrom janë shumë të mira. Përsa i përket turizmit të ajrit mund të fluturojmë direkt nga Maqedonia ndërsa ka kërkesa edhe nga pilotë nga shtete të tjera”
Por një aktivitet i tillë nuk mund të mbetet vetëm një ngjarje që zhvillohet një apo dy herë në vit. Një aerodrom, për të dhënë realisht kontribut në zhvillimin ekonomik dhe turistik të një qyteti, duhet të jetë funksional dhe i shfrytëzueshëm në mënyrë të vazhdueshme.
Prej vitesh është kërkuar që aerodromi i Gjirokastrës të hapet për fluturime dhe të shërbejë si një pikë lidhëse për turistët që duan të vizitojnë jugun e vendit. Megjithatë, pavarësisht kërkesave dhe interesit të vazhdueshëm, konkretizimi i kësaj mundësie ka mbetur pas.
Mbajtja e aerodromit vetëm për aktivitete sporadike rrezikon t’i humbasë vlerën dhe potencialin që ai ka për turizmin e Gjirokastrës dhe të gjithë jugut.
Tashmë aerodromi turistiko-sportiv i Gjirokastrës është kthyer në një qendër të veçantë në zhvillimin e aktiviteteve për sportet e ajrit dhe nxitjen e turizmit në jug të vendit.
Por sfida mbetet që ky potencial të mos shfrytëzohet vetëm në raste të veçanta, por të kthehet në një aktivitet të rregullt dhe funksional.
Top Channel