Chelsea-Manchester United dhe Barcelona-Shahktar Donetsk janë dy sfidat e të mërkurës në Ligën e Kampioneve.
Derbi anglez në Europë është sfida e vetme e çerekfinaleve që në letër duket më e ekuilibruara. Pasi ka dalë nga gara për të gjitha kupat në Angli, Champions mbetet mundësia e vetme e skuadrës së Abramoviç të shpëtojë sezonin.
“Chelsea nuk e ka patur shansin me vete në vitet e kaluara. Jam i bindur se këtë herë i kemi mundësitë ta fitojmë këtë trofe. Ndihemi mirë si psikologjikisht ashtu edhe fizikisht dhe këtë do ta tregojmë që në ndeshjen e parë me United”, ka deklaruar trajneri i Bluve, Karlo Ançeloti.
Kundërshtari i tij në Stamford Bridge, Sër Aleks Ferguson është i kënaqur se ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin e Djajve të Kuq.
“Jemi përgatitur ashtu siç përgatitemi për çdo ndeshje europiane. Duam që shpresat për kualifikim t’i mbajmë të gjalla për ndeshjen e kthimit dhe për këtë shpresoj të shënojmë ndonjë gol në fushën e Chelsea”, ka deklaruar Sër Aleks Ferguson.
Nëse motivet për sfidën angleze nuk mungojnë, Josep Guardiola frikësohet nga rehatia që i ka zënë lojtarët e tij.
“Këto që dëgjoj dhe lexoj nuk më pëlqejnë, flitet shumë pak për Shakhtar, shkruhet se kampionati spanjoll tashmë ka përfunduar dhe jemi në gjysëmfinale”, ka deklaruar tekniku i Barcelonës.
“U kam thënë lojtarëve të mi t’i mbyllin veshët ndaj fjalëve dhe lajmeve të tilla, pasi kemi përballë një superskuadër”, ka thurur elozhe Guardiola.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe Luçescu, trajneri i Shakhtar Donetsk: “Mendoj se kjo Barcelonë është skuadra më e fortë në të gjithë historinë e futbollit.”
Top Channel