Presidenti i ri i Federatës Braziliane të futbollit, Rogerio Caboclo mori zyrtarisht detyrën e tij dhe këtë e bëri në një ceremoni në të cilën u prezantuan edhe fanelat e reja të përfaqësueses braziliane.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kreu i qeverisë së futbollit brazilian premtoi se institucioni që ai do të drejtojë në 4 vitet e ardhshme nuk do të tolerojë asnjë veprimtari të dyshimtë.

“Do të përmirësojmë administrimin dhe kontrollet, do të aplikojmë me forcë Kodin e Etikës. Nuk do të toleroj asnjë veprimtari të dyshimtë apo të jashtëligjshme. Përsa u përket fanelave të reja, janë një homazh për skuadrën tonë përfaqësuese. Në ndeshjen e hapjes do të luajmë me fanelat e bardha me të cilën Brazili fitoi titullin e parë të Kupës së Amerikës”, tha Caboclo.

I pranishëm në ceremoninë e marrjes së detyrës nga Caboclo ishte dhe Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino: “Siç e dimë të gjithë, Brazili është vendi i futbollit. Në Brazil ky sport është pasion, emocion, jetë, është gjithçka. Është shumë e rëndësishme për botën e futbollit të dijë që Fedearata Braziliane është e fortë, e pushtetshme dhe profesionale si në Amerikën e Jugut, ashtu edhe në botë. Kjo është një ditë speciale dhe krenarie për Caboclon e Federatën. Ashtu sikurse edhe CONMEBOL, edhe FIFA jo vetëm që do të përkrahë Federatën braziliane, por edhe do të bashkëpunojë me të”.

Top Channel