Interi feston në fund, Brozovic i jep 3 pikët zikaltërve ndaj Sampit

22/09/2018 22:53

Në ndeshjen Sampdoria-Inter u shënuan 4 gola, por vetëm njëri prej tyre, ai i Brozoviçit në sekondat e fundit të ndeshjes e kaloi provën VAR. Kështu, zikaltërit morën 3 pikë të vlefshmë në Gjenovë atëherë kur gjithçka dukej se do të përfundonte 0-0.

Interi i kthehet fitores në kampionat, aty ku në katër javët e para kishte grumbulluar vetëm 4 pikë.

Interi e gjeti rrjetën fillimisht në fund të pjesës së parë, por gjyqtari pasi iu referua sistemit VAR, e anuloi për pozicion jashtë lojë në momentin e ekzekutimin të goditjes standarde. Por ky ishte vetëm fillimi. Në minutën e 88-të, pas një aksioni të gjatë të Interit, Asamoah realizon me një goditje të saktë thuajse në vijën e 16-metrave. Festa e zikaltërve zgjati shumë pak, pasi topi kishte përfunduar jashtë vijës fundore, para se të kthehej në lojë.

Vetëm pak çaste më vonë Sampdoria festoi si e çmendur golin e Defrel, por sërish me ndërhyrjen e VAR-it, goli i anulua me të drejtë.

Gjithsesi, në kohën shtesë, nuk ishte nevoja që kryesori t’i referohej VAR-it, sepse goli i Brozovic ishte krejtësisht i rregullt.

Top Channel