“Special One” edhe në gjykatë. Paguan 3.3 mln euro: Asnjë cent më shumë

03/11/2017 13:33

Trajneri portugez Jose Mourinho nuk do të pranojë të paguajë asnjë cent më shumë në organet fiskale spanjolle, pavarësisht presionit dhe akuzave për evazion, që e rikthyen në bankën e një gjykate në Madrid.

Institucionet tatimore akuzojnë “Special One” se ka fshehur fitimin nga të drejtat e imazhit dhe nuk ka paguar 3.3 milionë euro taksa kur drejtonte Realin e Madridit.

Por, në daljen nga Pallati i Drejtësisë në Alarcon, luzitani ishte stoik në qëndrimet e tij.

“Më njoftuan që ishte hapur një hetim dhe duhej të rregulloja situatën time. Kështu që pagova një shifër të caktuar. Asnjëherë nuk u ankova dhe as nuk apelova. Pagova dhe e mbylla me kaq, e gjykatësit i thashë të njëjtat gjëra si dhe juve”, iu përgjigj Mourinho reporterëve.

“Lashë Spanjën në vitin 2013 me bindjen se situata ime fiskale ishte krejt e rregullt, por pas ca vitesh më informojnë se duhej të rregulloja situatën me një tjetër import”, tha Mourinho.

Trajneri aktual i Manchester United bëhet figura e fundit e njohur në futboll, që bie në rrjetën e organeve fiskale spanjolle. Më parë, Lionel Messi dhe babai i tij u shpallën fajtorë për evazionin e 4.1 milionë eurove.

Gjithashtu, lojtarë të tjerë si Cristiano Ronaldo, Marcelo, Ricardo Carvalho, Angel Di Maria, Javier Mascherano, Radamel Falcao dhe Fabio Coentrao janë mes atyre që janë hetuar nga drejtësia spanjolle.

Top Channel