Kupa e Amerikës, Argjentina kalon në finale. Fitore me rezultat tenistik ndaj Paraguajit

01/07/2015 00:00

Kili-Argjentina. Kjo është finalja e Kupës së Amerikës. Lionel Messi me shokë kanë shënuar fitore me rezultat tenistik 6-1 ndaj Paraguajit për të siguruar një biletë për finalen e këtij kompeticioni.

Lionel Messi nuk e ka parë veten në listën e golashënuesve, por ka bërë tre asiste dhe paraqitje të një niveli të lartë, bashkë me Di Marian që vazhdimisht është kritikuar pas një sezoni të dobët në Angli.

Messi asistoi në golin e parë, që u shënua nga Marcos Rojo në minutën e 15. Dhjetë minuta më vonë, numri 10 i Barcelonës gjeti bukur Pastoren për 2-0.

Në fund të pjesës së parë, Paraguaji dha shenja se mund të rikthehej, duke shënuar për 2-1 me anë të Barrios, por në pjesën e dytë, yjet argjentinas shënuan edhe katër gola të tjerë.

Di Maria shënon dy gola për gjashtë minuta, për të rikthyer qetësinë në skuadër. Ai realizon në minutën e 47 dhe 53. I njëjti lojtar asiston për golin e pestë të Argjentinës, që shënohet nga Aguero në minutën e 80.

Sulmuesi i Napolit, Gonzalo Higuain shfrytëzon më së miri një top nga Leo Messi për të shënuar për rezultatin përfundimtar 6-1.

Top Channel