Napoli-Higuain, mungon firma e lojtarit

22/07/2013 00:00

Largimi i Cavani-t ka lënë një boshllëk të madh në sulmin e Napolit, ndaj De Laurentis kërkon me ngulm një emër të madh për trajnerin Benitez.

Më herët Ibrahimovic e më pas Damio ishin dy pistat ku napolitanët u përpoqën, por dështuan, ndërsa tashmë duket se janë mjaft pranë blerjes së Higuain, i kërkuar më parë edhe nga Juventusi.

Oferta prej 37 milion eurosh plus bonuset në varësi të arritjeve të skuadrës kanë bindur Realin e Madridit, ndërsa lojtarin e pret një kontratë 5-vjeçare me 6 milion euro në sezon.

Për momentin Higuain nguron të thotë po, dhe shkak për këtë, sipas mediave italiane, janë të drejtat e imazhit, që Napoli kërkon t’i ketë klubi. Sulmuesi argjentinas ka një kontratë 3-vjecare me “Nike”, ku përfiton 1 milion euro në sezon.

De Laurentis ka propozuar lënien e të drejtës së imazhit për lojtarin në Amerikën Latine, ndërsa në pjesët e tjera të globit, kjo e drejtë të shkojë për klubin. Sipas Corriere Dello Sport, palët janë ende në bisedime dhe pritshmëritë janë për gjetjen e gjuhës së përbashkët, ndërsa sinjali i mirë për napolitanët është fakti së në golin e shënuar të dielën në një ndeshje testuese, Higuain nuk festoi.

Top Channel