SuperReal gjunjëzon Barcelonën

30/08/2012 00:00

Spektakël në Bernabeu ku madrilenët gjunjëzuan Barcelonën, jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë dhe Mourinho fiton betejën e parë me katalanasit që u jep edhe trofeun e nëntë të Superkupës së Spanjës.

Real i nisi vrullshëm ndeshjen dhe që në minutat e para u vendos në kërkim të golit për të përmbysur rezultatin 3-2 të një jave më parë në Camp Nou. Higuain vendoset përballë Viktor Valdes, por gjuajtja e tij devijohet lehtë me këmbë nga portieri katalanas, aq sa mjaftoi për të shmangur golin.

Në minutën e 11-të të takimit është sërish Higuain ai që i vidhet mbrojtjes katalanase e vetëm për vetëm me Valdes, këtë herë nuk gabon. Real shënon dhe Bernabeu është në festë.

Goli nuk zgjoi Barcelonën, e cila ishte e paqartë në lojë dhe në shumë raste e pafuqishme për të dalë në sulm. Aksionet e katalanaseve thyhen lehtësisht nga madrilenët, ndërkohë që Di Maria dhe Ronaldo kalojnë lehtësisht mbrojtjen e arnuar nga trajneri Villanova, që para takimit u detyrua të hiqte dorë nga aktivizimi i Dani Alves për shkak të një dëmtimi të këtij të fundit.

9 minuta pas golit të parë, Real gjen të dytin dhe këtë herë është asi i tij, portugezi Cristiano Ronaldo që pas një kalimi me takë ndaj Pique, godet diagonalisht e mposht për herë të dytë Valdes.

Si të mos mjaftonte disavantazhi prej dy golash, Barca detyrohet të luajë me 10 lojtarë, për shkak të largimit pas ndëshkimit me dy kartona të verdhë të mbrojtësit Adriano në minutën e 28 të takimit.

Atëherë kur pritej mbyllja e pjesës së parë me rezultatin 2-0, një perlë e Messi-t nga një goditje dënimi në afërsi të zonës mposht Casillas, ngushton diferencën dhe ringjall shpresat e Barcelonës për të ngritur trofeun.

Në pjesën e dytë Barcelona u përpoq të realizojë golin e barazimit edhe pse me 10 lojtarë, por vec pak minutave volum loje, asnjë rast i rrezikshëm nuk u regjistrua para portës së Casillas, ndërkohë që Real vijoi të rrezikojë, madje në një rast debutuesi Modric i blerë nga Totenhem 3 ditë më parë goditi bukur brenda zonës por topi u ndal nga Valdes.

Pavarësisht përpjekjeve nga të dyja skuadrat, ndeshja u mbyll me rezultatin e vendosur që në pjesën e parë të takimit, ndërkohë që vlen për t’u përmendur një gol i shënuar me kokë nga Pepe, që për gjyqtarin e takimit ishte i parregullt.

Top Channel