Premier League “pushton” Europën, Aston Villa dhe Unai Emery shkruajnë historinë, pas 44 vitesh
Mesfushori i Real Madridit, Fede Valverde, ka thyer heshtjen përmes një deklarate në rrjetet e tij sociale, duke sqaruar situatën me shokun e skuadrës, Aurelien Tchouameni.
“Dje pata një incident me një shok skuadre si pasojë e një aksioni gjatë stërvitjes, ku lodhja nga konkurrenca dhe frustrimi i bëjnë gjërat më të mëdha se sa janë në të vërtetë. Në një dhomë zhveshjeje normale, këto gjëra ndodhin dhe zgjidhen mes nesh pa u bërë publike. Eshtë e qartë se këtu ka dikush pas kësaj që nxitoi të tregonte historinë, duke i shtuar faktin që jemi në një sezon pa tituj, ku Madridi është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe çdo gjë zmadhohet.
Sot patëm një tjetër mosmarrëveshje. Gjatë debatit, godita pa dashje një tavolinë, duke i shkaktuar vetes një çarje të vogël në ballë që kërkonte një vizitë rutinë në spital. Në asnjë moment shoku im nuk më ka goditur, as unë atë, edhe pse e kuptoj që për ju mund të ketë qenë më e lehtë të besonit se jemi rrahur apo se ishte e qëllimshme, por kjo nuk ndodhi.
Ndjej se zemërimi im për situatën dhe frustrimi duke parë që disa prej nesh po arrijnë në fund të sezonit me energjitë e fundit, duke u thyer mentalisht, më çoi në pikën e debatit me një shok skuadre. Më vjen keq. Më vjen vërtet keq sepse situata më dhemb, momenti që po kalojmë më dhemb. Madridi është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të qëndroj indiferent.
Rezultati është një grumbullim gjërash që përfundojnë në një debat pa kuptim, duke dëmtuar imazhin tim dhe duke u lënë hapësirë njerëzve të shpifin e të ekzagjerojnë një aksident. Çdo përplasje që mund të kemi në fushë pushon së ekzistuari sapo dalim prej saj, dhe nëse më duhet ta mbroj atë brenda një stadiumi, unë do të jem i pari që do ta bëj.
Nuk do të flisja deri në fund të sezonit. U eliminuan nga Champions League dhe e mbajta zemërimin e mllefin për vete. Çuam dëm edhe një vit tjetër dhe nuk kisha dëshirë të bëja postime kur e vetmja fytyrë që duhej të tregoja ishte ajo në fushë. Prandaj më dhemb dhe më trishton më shumë kjo situatë, e cila më pengon të luaj në ndeshjen e radhës për shkak të vendimeve mjekësore. Unë kam shkuar gjithmonë deri në fund, deri në pasojat e fundit, dhe më dhemb më shumë se askujt që nuk mund ta bëj këtë. Jam në dispozicion të klubit dhe shokëve të mi për të bashkëpunuar me çdo vendim që ata e konsiderojnë të nevojshëm.
Faleminderit.”
Top Channel