Caktohen finalet europiane/ Mbrëmje historike për Balliun me Rayo Vallecano, përmbysje të Aston Villas dhe Freiburgut
Futbolli europian ka rënë zyrtarisht nën këmbët e Premier League-s këtë sezon, teksa një “mbretëri” angleze po sundon kontinentin duke pasur nga një përfaqësues në secilën prej tre finaleve madhore: Arsenal në Champions League, Aston Villa në Europa League dhe Crystal Palace në Conference League.
Një arritje e jashtëzakonshme që dëshmon forcën e frikshme të kampionatit anglez, por vëmendja kryesore është zhvendosur te Aston Villa, e cila po përjeton një përrallë të vërtetë nën drejtimin e “mbretit” të këtij turneu, Unai Emery. Tekniku spanjoll ka konfirmuar statusin e tij si specialist absolut duke arritur finalen e gjashtë të Europa League në karrierën e tij menaxheriale, një rekord i pabesueshëm duke pasur parasysh se ai ka fituar katër nga pesë finalet e mëparshme.
Rrugëtimi i skuadrës nga Birmingham drejt finales së Stambollit u vulos me një triumf historik 4-0 ndaj Nottingham Forest, duke shënuar diferencën më të madhe të fitores që një ekip anglez ka arritur ndonjëherë ndaj një rivali bashkëkombës në kompeticionet europiane.
Ky sukses vjen pas një pritjeje të gjatë prej 44 vitesh, pasi hera e fundit që Aston Villa preku një finale të madhe europiane ishte ajo e vitit 1982 në Kupën e Kampionëve, duke u bërë kështu klubi i tretë anglez me pritjen më të gjatë pas Manchester Cityt dhe West Hamit. Në këtë natë magjike, Emiliano Buendía shkëlqeu duke u bërë lojtari i parë i një klubi anglez që shënon dhe asiston në një gjysmëfinale të Europa League që nga koha e Bruno Fernandes dhe Edinson Cavani në vitin 2021. Me këtë vrull dhe me eksperiencën e Emery-t në stol, Premier League nuk po kërkon thjesht pjesëmarrjen, por po përgatitet të bëjë “pastrimin” e plotë të trofeve në Europë, duke e shndërruar këtë verë në një festë legjendare për ishullorët.
Top Channel