Situata te Real Madridi është tensionuar tej mase përpara ndeshjes së madhe kundër Barcelonës.

Klubi “Los Blancos” ka konfirmuar zyrtarisht se Fede Valverde do të mungojë në sfidën e së dielës për shkak të një dëmtimi në kokë, i cili dyshohet se ka ardhur pas një përplasjeje fizike me shokun e tij të skuadrës, Aurelien Tchouameni.

Raportimet e fundit bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur gjatë ditës së enjte, ndërsa klubi ka njoftuar se tashmë ka nisur procedurat disiplinore ndaj dy yjeve të ekipit. Sipas përditësimit mjekësor, Valverde do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy javë.

Në komunatën zyrtare të Real Madridit thuhet:

“Pas analizave të kryera sot nga shërbimi mjekësor, lojtari ynë Fede Valverde është diagnostikuar me një traumë kranio-encefalike (dëmtim në kokë). Valverde ndodhet në shtëpi në gjendje të mirë, por do t’i duhet të pushojë nga 10 deri në 14 ditë, sipas protokolleve mjekësore për këtë lloj diagnoze.”

Përveç Valverdes, në dyshim mbetet edhe sulmuesi Kylian Mbappe, i cili megjithëse është rikthyer në stërvitje, nuk dihet nëse do të jetë plotësisht gati. Kjo situatë vjen në momentin më të keq të mundshëm, pasi Barcelonës i mjafton vetëm një pikë në “Camp Nou” për t’u shpallur matematikisht kampione e La Liga-s.

Top Channel