Pas deklaratës emocionuese të Fede Valverdes, ka reaguar edhe mesfushori francez Aurelien Tchouameni, duke dhënë versionin e tij mbi incidentin që ka trazuar kampin madrilen përpara “El Clasico-s”.

Përmes disa deklaratave që po qarkullojnë me shpejtësi, Tchouameni ka tentuar të sqarojë dinamikën e ngjarjes, duke mohuar kategorikisht një përplasje fizike mes tyre.

Deklarata e përshtatur e Tchouameni:

“Diçka ka ndodhur, por nuk mund të them asgjë më shumë. Ua thashë që dje se nuk ka pasur asgjë në kuptimin që nuk ka pasur një sherr mes nesh. Nuk është e vërtetë që e kam goditur me grusht, këtë mund t’ua konfirmoj me siguri. Koka e tij thjesht goditi në tokë.”

Kjo deklaratë vjen si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të hedhur poshtë zërat për një konflikt të dhunshëm brenda dhomave të zhveshjes. Ndërsa Valverde në versionin e tij përmendi goditjen e një tavoline pas frustrimit, Tchouameni sqaron se lëndimi ka ardhur si pasojë e një rënieje ku koka e lojtarit ka pasur kontakt me dyshemenë.

Megjithëse versionet e dy lojtarëve ndryshojnë paksa në detajet teknike të aksidentit, të dy bien dakord në një pikë: nuk ka pasur dhunë të qëllimshme mes shokëve të skuadrës. Ky sqarim vjen në një moment kritik, kur Real Madridi po përballet me mungesa të rëndësishme dhe presionin e lartë të fundsezonit. Pavarësisht mohimit të sherrit, mbetet fakt që kjo “traumë kranio-encefalike” do ta mbajë Valverden jashtë fushave për sfidën vendimtare kundër Barcelonës, duke lënë një boshllëk të madh në mesfushën e Realit.

Top Channel