
Ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Italisë ndërmjet Interit dhe Milanit pritet të sjellë disa lëvizje të bujshme në formacionin zikaltër, dhe në qendër të vëmendjes është emri i mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani.
Sipas Corriere dello Sport, përmes FCInterNews, trajneri Simone Inzaghi po konsideron seriozisht t’i japë pushim dy prej yjeve të tij më të rëndësishëm: Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu. Me një kalendar të ngjeshur dhe një sezon që po shkon drejt fundit, lodhja fizike dhe rreziku për lëndime kanë detyruar Inzaghin të mendojë për rotacion.
Kjo situatë mund t’i hapë derën Kristjan Asllanit, i cili është në garë për të startuar në mesfushë në vend të Calhanoglut. Edhe pse forma e tij nuk ka qenë më e mira kohët e fundit, Inzaghi duket i gatshëm t’i japë një mundësi të artë lojtarit të Kombëtares shqiptare për të treguar vlerat në një sfidë me peshë.
Roli i titullarit në një derbi të tillë do të ishte një hap i madh për Asllanin, i cili kërkon të fitojë më shumë minuta dhe besim në një nga klubet më të mëdha në Itali. Nëse zyrtarizohet në formacionin startues, kjo do të ishte një provë e rëndësishme për të në nivele të larta.
Në repartin ofensiv, mungesa e Lautaros pritet të plotësohet nga Marko Arnautovic, pasi Mehdi Taremi dhe Joaquin Correa nuk kanë bindur në paraqitjet e tyre. Kjo e bën mungesën e argjentinasit edhe më të ndjeshme për Interin.
Top Channel