“Jam i lumtur për rikthimin e Brojës, në Kombëtare nuk ka rivalitet”/ Manaj pas dy golave me Andorrën: Ëndërr kemi Botërorin

24/03/2025 23:27

Rey Manaj ishte protagonisti kryesor i fitores së Shqipërisë me Andorrën, duke shënuar dy gola në triumfin 3-0 në “Arenën Kombëtare”.

Sulmuesi shqiptar, në një prononcim për DigitAlb, tha se është i lumtur për rikthimin e Brojës dhe se në skuadër nuk ka rivalitet, por i bashkon ëndrra për të luajtur në Botëror.

“Me Asllanin gjendemi në fushë, patëm edhe 2-3 raste të tjera, kemi një komunikim të mirë dhe njihemi në fushë. Unë shpresoj gjithmonë të vazhdoj me këtë rritëm. Ndaj Anglisë ishin lojtarët më të mirë në botë, zhvilluam një ndeshje të mirë, edhe sot ishte një ndeshje e vështirë, është e vështirë t’i çash kur janë 10 veta mbas topit. 

Trajneri gjithmonë kërkon që të fitojmë kur futemi në fushë. Tani do të ikim me fitore me pushime deri në qershor. Shumë ekipe kanë çaluar me Andorrën. Sot e menaxhuam situatën mirë, jam i kënaqur për të gjithë çunat, për rikthimin e Brojës, për Hoxhën që luajti nga fillimi, për Uzunin që shënoi, për të gjithë. As në klub dhe as në Kombëtare, nuk duhet të ketë rival. Uroj që të shënojë sa më shumë gola Broja, rëndësi ka që Kombëtarja të eci dhe të fitojmë ndeshjet.

Të gjithë e kemi si ëndërr që të shkojmë në Botëror. Duhet të shikojmë ndeshjet e radhës”, deklaroi Manaj për “DigitAlb”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta