Pas 7 vitesh pritje dhe pas pak orësh, Roma do të dëgjojë sërish himnin e Ligës së Kampioneve. Gian Piero Gasperini udhëhoqi verdhekuqtë drejt kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube dhe tani është gati t’i drejtojë edhe për Fazën e Ligës të cilën Roma do ta nisë në Stamboll me ndeshjen ndaj Fenerbahçes.

‘Pas Botërorit të kombëtareve, Champions League është kompeticioni më prestigjioz, pjesë e të cilit duan të jenë të gjithë-tha Gasperini-jemi të gjithë mirë dhe nuk ka mungesa të rëndësishme përveç Pellegrinit. Jemi gati që ta nisim mirë, Dybala po tregon vazhdimësi përtej vlerave të tij që i njohim të gjithë, është në një formë shumë të mirë. Luajmë në një ambient të nxehtë dhe nuk do të jetë e lehtë’.

Gasperini e vijoi diskutimin e tij në lidhje me momentin pozitiv të skuadrës së tij

‘Përmbysja e një ndeshjeje si ajo me Atalantën na dha shumë karikim, tani kemi këtë kuriozitetin për të matur forcat me të mëdhenjtë e Evropës-vijoi trajneri i Romës që foli edhe për vlerën e futbollistëve të skuadrës së tij.

‘E kemi rritur nivelin teknik dhe shumë gola janë pasqyrë e këtij faktori-tha Gasperini-merita është te njohuritë që ka fituar skuadra, te Malen dhe Dybalas, por jo vetëm këto…’.

Natyrisht që Liga e Kampioneve është një kompeticion i një shkalle të lartë vështirësie, gjë që e pohon vetë Gasperini.

‘Përballemi me skuadra të nivelit të lartë që kanë në formacionet respektive të tyre futbollistë të jashtëzakonshëm që mund të ndryshojnë rezultatin me një manovër të vetme-tha trajneri i verdhekuqve-këtë duhet ta dimë mirë, ta pranojmë dhe të përpiqemi ta kontrollojmë, por kjo nuk do të thotë që ne të dalim jashtë natyrës sonë’.

Top Channel