Surpriza nga orkestra e Forcave të Armatosura! Performanca ndryshe në Gjirokastër kushtuar grave dhe vajzave

09/03/2025 15:17

Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura ishte pjesë e festave të marsit në Gjirokastër.

Formacioni muzikor i themeluar që prej tetorit të vitit 1944 i vlerësuar me shumë tituj dhe urdhra nderi solli një interpretim dinamik në zonën muzeale të qytetit dhe u ndoq nga qindra qytetarë dhe vizitorë.

Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, e njohur si shoqëruese e rëndësishme e ceremonive zyrtare të shtetit shqiptar, që i jep tonin solemn momenteve të zbatimit të protokollit shtetëror erdhi në një formë më lirike në këtë event kushtuar grave dhe vajzave. Repertori përfshiu kryesisht hite të njohura ndërkombëtare të rokut dhe popit dhe performanca në qafën e pazarit ishte një surprizë për vizitorët.

“Si pjesë e një eventi koncertor ne jemi sot në pazarin e Gjirokastrës. Ky sezon i ri për Big Band sjell një repertor shumë të larmishëm dhe ne jemi Big Band i Orkestrës së Forcave të Armatosura dhe sot ndodhemi në pazarin e Gjirokastrës me një super atmosferë me kaq shumë njerëz dhe me një kohë kaq të bukur dhe po kalojmë një super ditë”, tha Zyle Rexha flautiste e Big Band.

Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është pasardhëse e Bandës Muzikore “Vatra” që frymëzoi vullnetarët shqiptaro-amerikanë, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Kënga epike ” Vlora- Vlora” u bë në atë kohë simboli i luftës për liri.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta