Projektligji i hartuar nga qeveria për trajtimin financiar të artistëve, është kundërshtuar nga këta të fundit, që dolën këtë të hënë me një deklaratë publike.
Ata kërkojnë rrëzimin e projektligjit që parashikon trajtim financiar për akrobatët, balerinët dhe valltarët në moshën 47-vjeçare dhe për këngëtarët në moshën 57-vjeçare.
“Pas gati dy dekadash kërkesë, artistëve nuk mund t’u ofrohet një skemë e izoluar financiare, e cila nuk zgjidh problemet themelore të institucionit dhe kushtëzon përfitimin për përfundimin e marrëdhënies së punës“, u shpreh kreu i Sindikatës së Pavarur të Artit, Julian Kazazi.
85 profesionistë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ansamblit Kombëtar dhe Cirkut Kombëtar kanë firmosur peticionin ku kërkojnë “Statusin e Artistit” dhe një politikë kombëtare për artin!
“Brenda statusit të artistit duhet të rregullohet në mënyrë të plotë njohja ligjore e profesionit të artistit, pensioni dhe trajtimi i diferencuar sipas vështirësisë së profesionit. Paga, vjetërsia dhe klasifikimi profesional, shëndeti dhe siguria në punë, mbrojtja sociale edhe për artistët e pavarur“, theksoi Kazazi.
Artistët shprehen se nuk dinë kush e ka hartuar projektligjin, por ai nuk u përgjigjet kërkesave të tyre! Ata kërkojnë që t’u garantohet e drejta për të zgjedhur mes vazhdimit të punës, kalimit në një funksion tjetër apo përfitimit të trajtimit financiar.
“Nuk është lajmëruar asnjë nga ne, e kemi marrë vesh nga rrjetet sociale“, tha baritoni i Teatrit të Operas dhe Baletit, Armando Likaj.
“Kjo na ka shokuar disi, sepse nuk është e drejtë. Duhet të merren artistët më këtë punë, jo njerëz dosido“, tha sopranoja Eva Golemi.
Projektligji përfshin vetëm artistët që punësuar në institucione publike, ndaj nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë përfshirjen e të gjitha kategorive profesionale që janë lënë jashtë. Të premten ata pritet të ketë një dëgjesë me përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Sportit, ku do të dorëzojnë dhe peticionin e përgatitur prej tyre.
Top Channel