“Shkolla e dinte për bullizimin”/ Vajza 11-vjeçare u vetëvra, flet nëna: Ofendohej nga bashkëmoshatarët sepse ishte emigrante

19/02/2025 23:10

Një vajzë 11-vjeçare kreu vetëvrasje pasi u ngacmohej nga bashkëmoshatarët e saj sepse ishte emigrante e paligjshme në SHBA.

11-vjeçarja, Jocelynn Rojo Carranza ndërroi jetë 8 shkurt, pesë ditë pasi nëna e saj e gjeti atë të pavetëdijshme në shtëpinë e tyre në Teksas.

“Gjatë gjithë javës kam pritur për një mrekulli, duke pritur që vajza ime të përmirësohet, por për fat të keq nuk mund të bëhej asgjë”,  tha nëna e saj Marbella Carranza.

Jocelynn u ngacmua dhe u tall në shkollë për statusin e emigracionit të familjes së saj, tha nëna e saj.

“Ata e kërcënonin se do të thërrisnin autoritetet e anti-emigracionit që të merrnin prindërit e saj dhe ajo të mbetej vetëm,” tha Carranza e cila nuk e përmendi statusin e emigrimit të familjes së saj.

Carranza pretendon se shkolla e vajzës së saj ishte në dijeni të ngacmimeve, por nuk ia tregoi asaj, ajo mësoi nga hetuesit se vajza e saj kishte bërë seanca këshilluese në shkollë.

“Duket se shkolla ishte në dijeni rreth ngacmimeve, por kurrë nuk më thanë se çfarë po ndodhte me vajzën time. Duket se ajo shkonte një ose dy herë në javë në seanca këshillimi. Dua drejtësi sepse nuk është e drejtë që shkolla të jetë kaq neglizhuese duke mos më informuar për gjendjen e vajzës time”, shtoi ajo.

Sipas policisë lokale, po zhvillohet një hetim, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe akuzave të ngritura ndaj shkollës.

Shkolla nuk ka pranuar se ishte në dijeni të ngacmimeve ndaj Jocelynn. “Sa herë që marrim një raport për ngacmim, ne përgjigjemi me shpejtësi për të siguruar që të gjithë studentët të jenë të sigurt fizikisht dhe emocionalisht. Ndërsa ne nuk mund të japim asnjë informacion në lidhje me nxënës të veçantë ose incidente, shkollat ​​tona kanë disa politika për të luftuar bullizmin dhe për të zgjidhur konfliktet”, tha një zyrtar i distriktit të Gainsville.

Carranza përshkroi ditën e tmerrshme kur gjeti vajzën e saj: “Kur u ktheva në shtëpi, mjekët ende po mundoheshin ta bënin të reagonte, duke u përpjekur të më kthenin vajzën, ajo kishte qenë pa ndjenja për një kohë të gjatë”.

Qindra miq dhe anëtarë të familjes, duke përfshirë shumë fëmijë, mbushën Kishën Katolike të Shën Marisë të mërkurën për të marrë pjesë në funeralin e Jocelynn. Një grup personash kishin veshur bluza të bardha me foton e vajzës së re, ndërsa të tjerët kishin veshur bluza rozë për nder të vajzës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA