Shefja e politikës së jashtme dhe ministri gjerman replikojnë ashpër me zv.presidentin amerikan: Vance duket sikur po nxit luftë

14/02/2025 22:09

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se fjalimi i ashpër i zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, ngjante sikur SHBA do të nxisë luftë me Evropën dhe nuk dukej aspak si një shtrirje dore për bashkëpunim.

“Duke e dëgjuar atë fjalim, dukej sikur po përpiqen të nxisin një luftë me ne, por ne në fakt nuk duam të nxisim luftë me miqtë tanë”, ka thënë ajo nga Mynihu, ku paraprakisht gjatë ditës në Konferencën e Sigurisë foli numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Vance kritikoi liderët evropianë duke thënë se kërcënimi për Evropën është nga brenda saj, por Kallas ka deklaruar se aleatët duhet të fokusohen në kërcënime më të mëdha, duke iu referuar qartësisht agresionit rus në Ukrainë.

Reagoi edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili ka deklaruar se fjalimi i mbajtur nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih është i papranueshëm.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, në fjalimin e tij i krahasoi liderët aktualë evropianë me autokratët që sunduan me regjimet represive në kontinentin evropian gjatë Luftës së Ftohtë.

“Ai flet për shkatërrimin e demokracisë? Vërtetë? Pra, nëse e kam kuptuar saktë, ai është duke krahasuar gjendjen e disa pjesëve të Evropës me ato të rajoneve autoritare… Kjo është e papranueshme”, ka shtuar Pistorius.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA