Bundestagu “mbledh veten”: Arrin të rrëzojë mocionin e dytë të CDU – AfD për emigracionin!

01/02/2025 12:36

Tronditja që shkaktoi vota e parë në Bundestag, ku mocioni i konservatorëve për emigracionin mori mbështetjen e të djathtës ekstreme, e shkundi nga gjumi parlamentin gjerman.

Këtë radhë, 12 vota ndryshuan lojën dhe të përfshirë nga paniku, ligjvënësit gjermanë arritën ta rrëzojnë mbrëmjen e së premtes mocionin për “kufizimin e fluksit të emigracionit”, i propozuar nga CDU/CSU. Në total, 349 deputetë votuan kundër, 338 pro dhe 5 abstenuan.

Projektligji synonte ashpërsimin e rregullave të emigracionit dhe t’i jepte policisë federale më shumë kompetenca për dëbime. Megjithatë drama e vërtetë nuk ishte tek përmbajtja e tij, por tek mënyra se si CDU/CSU e paraqiti në parlament.Ishte e qartë që kjo nismë mund të kalonte vetëm me ndihmën e votave të AfD-së, diçka që deri më tani kishte qenë tabu në Bundestag.

Për dekada me radhë, partitë kryesore kishin ruajtur një distancë të fortë nga e djathta ekstreme, por ky votim e sfidoi këtë rregull të pashkruar. Deputetët e AfD-së, që me në krye Alice Weidel, si kandidate për kancelare, të cilët kanë kohë që po përpiqen ta tërheqin CDU/CSU nga vetja, deklaruan se një ndryshim i vërtetë në politikën e emigracionit mund të vijë vetëm me AfD-në. CDU/CSU e ka kopjuar programin tonë, prandaj po e mbështesim”, tha bashkëkryetari i grupit parlamentar, Bernd Baumann.

Megjithëse projektligji u refuzua, çështja që la kjo javë të hapur është se deri ku është e gatshme të shkojë CDU/CSU për të siguruar pushtetin, teksa afrojnë zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit. Një sondazh i shpejtë i televizionit publik gjerman, ARD-së, tregoi se shumica e gjermanëve janë pro shtrëngimit të politikave të migracionit, por po aq gjermanë janë edhe kundër çdo lloj bashkëpunimi me AfD-në.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA