Rubio: Serbia, rrezik tensioni! Europa shqyrton plane emergjente pas paralajmërimeve për provokime nga Rusia

24/09/2026 13:32

Serbia është e përfshirë në “çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, pa shpjeguar në detaje se për cilat çështje bëhej fjalë.

Shefi i diplomacisë amerikane e theksoi se për sa i përket marrëdhënieve të SHBA-së me Beogradin, Washingtoni ka një partneritet strategjik me të, të cilin dëshiron ta thellojë. Por ndërkohë, me deklaratën e fortë hodhi hije dyshimi, të cilat marrin një tjetër dimension në situatën kur mbërrijnë njoftime se Europa po shqyrton plane emergjente pas provokimeve ruse dhe paralajmërimeve për sulm të mundshëm.

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, nuk pajtohet me thirrjet e vazhdueshme dhe raportimet se Rusia mund ta sulmojë NATO-n ose Bashkimin Europian në muajt e ardhshëm, në përpjekje për ta dobësuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ai thotë se kjo tashmë ka filluar.

“Ne nuk po flasim për një luftë konvencionale. Po flasim për të gjitha llojet e provokimeve, të gjitha llojet e akteve të sabotimit, të gjitha llojet e testimeve dhe, padyshim, kjo është diçka që po ndodh derisa ne po flasim”, tha lideri leton për Radion Europa e Lirë. Zyrtarë të inteligjencës europiane, CIA, madje edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk, kanë paralajmëruar ditët e fundit se Moska mund të shkojë aq larg saqë të kryejë ndonjë sulm ajror, në një formë apo tjetër, ndaj territorit të NATO-s në muajt e ardhshëm, për të treguar se zotimi i aleancës ushtarake për mbrojtje të përbashkët, sipas Nenit 5, është pak a shumë disa fjalë në një copë letre, siç thotë REL.

Rastet e sulmeve të muajve të fundit, që i janë atribuuar Rusisë përfshijnë zjarrvënie, plane për atentate dhe sabotim të infrastrukturës, si dëmtimi i hekurudhave dhe ndërhyrjet elektronike.

Top Channel