Dueli i Ligës së Kombeve në Tiranë/ Flet trajneri çek: Shqipëria ka një ekip cilësor, nuk do lejojmë të përsëritet ndeshja e vitit të kaluar

15/11/2024 16:54

Shqipëria luan ndeshjen e parë të nëntorit përballë Republikës Çeke në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve.

Trajneri çek, Ivan Hašek ka folur në konferencën për shtyp, duke thënë se i ka marrë masat përballë kuqezinjve dhe kërkon të shmanget ndeshja e vitit të kaluar, ku Shqipëria triumfoi 3-0 përballë Çekisë në kualifikueset e Europianit.

Mbrojtja? Prisnim disa mungesa, por në fund rezultuan tre. Por ne kemi lojtarë që kanë përvojë në futbollin ndërkombëtar, i kemi përzgjedhur në bazë të formës aktuale dhe besoj se të gjithë do t’ia dalin.

Formacioni? Mbi të gjitha uroj që të gjithë të përballojnë sa më mirë stërvitjen e fundit dhe të jenë të në formë. Ne kemi përgatitur variante të ndryshme.

Barazimi një sukses? Ne kemi një synim të qartë dhe ai është të dalim nga grupi si vend i parë. Në lojë është edhe Botërori, ndaj duam të përfundojmë të parët në tabelë edhe nga ky këndvështrim. Nuk do të bëj llogaritje ose nuk do të them se do të bëja një barazim. Qëllimi është fitimi i grupit.

Ndryshim nga ndeshja e parë? I kemi parë në disa ndeshje. Shqipëria ka një ekip cilësor me një trajner të shkëlqyer. Është një skuadër që mund të luajë të gjitha stilet, të sulmojë lart, por në të njëjtën kohë mund të luajë pa problem në mes ose në bllokun e thellë dhe të shkojë në kundërsulme. Ata kanë lojtarë cilësorë për këtë. Nuk duam të përsëritet ajo që ndodhi në ndeshjen e vitit të kaluar, kur lojtarët iu nënshtruan atmosferës, bënë shumë gabime dhe dështuan në kundërsulme. Kalimi në sulm nga Shqipëria është shumë i shpejtë dhe vdekjeprurës.

Goditjet nga distanca të Shqipërisë? Ne dimë për të gjithë lojtarët që mund të shënojnë një gol të tillë. Ne do të përpiqemi të mbrohemi në atë mënyrë që të mos i lëmë në situata të ngjashme, sepse këto janë situata të rrezikshme. E dimë që lojtarët shqiptarë janë shumë të mirë në këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA